Palestinë, betohet qeveria e unitetit

02/06/2014 00:00

Qeveria e re e unitetit në Palestinë është betuar të hënën, duke shënuar një hap kyç drejt dhënies fund të rivalitetit mes dy fraksioneve në Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës.

Qeveria, ku bëjnë pjesë edhe teknokratë, u ra dakord të përbëhej nga lëvizja islamike e Hamasit dhe partia e presidentit Mahmoud Abbas, Fatah.

Të dyja palët kanë qeverisur më vete që kur Hamas, që fitoi zgjedhjet në vitin 2006, rrëzoi Fatah nga pushteti me ofensivën agresive në Gaza në vitin 2007.

Izraeli deklaron ndërkohë se nuk do të negociojë me një qeveri palestineze të mbështetur nga Hamas, fraksion që është betuar për shkatërrimin e shtetit hebre.

Izraeli ndërpreu bisedimet e paqes më Palestinën në muajin prill, si përgjigje ndaj njoftimit të pajtimit mes dy fraksioneve palestineze.

Hamas, që cilësohet një organizatë terroriste nga Izraeli dhe vende të tjera perëndimore, kundërshton bisedimet e paqes. Megjithatë, presidenti Abbas ka thënë se qeveria e re do t’u përmbahet marrëveshjeve të mëparshme.

Në qeverinë e re bëjnë pjesë ministra të pavarur politikisht dhe detyra parësore e saj do të jetë organizimi i zgjedhjeve brenda gjashtë muajsh. Ajo drejtohet nga kryeministri në detyrë, Rami Hamdallah.

Ditën e diel, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se, liderët botërorë nuk duhet të nguten dhe të njohin qeverinë e re palestineze.

“Hamas është një organizatë terroriste që bën thirrje për shkatërrimin e Izraelit dhe komuniteti ndërkombëtar nuk duhet ta përqafojë atë. Një gjë e tillë nuk do të nxiste paqen, por do forconte terrorin”, tha Netanyahu.

Top Channel