
Një betejë e ashpër është zhvilluar gjatë së hënës në Lindjen e rebeluar të Ukrainës, pasi një milici pro-ruse ka sulmuar postën kufitare ukrainase me armë automatike dhe granata-hedhëse, gjatë orëve të para.
Burimet e sigurisë thonë se një pjesë e separatistëve kanë zaptuar kapet e sipërme të një blloku apartamentesh pranë vendngjarjes dhe kanë qëlluar në drejtim të postës kufitare në pjesën jugore të Luhanskut, një qytet shumë pranë kufirit me Rusinë.
“Të shtënat po vazhdojnë… Nuk ka pasur asnjë tërheqje, pas të shtënave prej 7 orësh tashmë”, tha zëdhënësi i postës kufitare, Oleh Slobodin. “Kemi 8 apo 9 të plagosur. Ndërkohë që mes agresorëve janë shënuar 5 viktima dhe 8 të plagosur”, tha ai.
Rajoni lindor i Ukrainës është copëtuar, për shkak të rebelimit të separatistëve të armatosur përgjatë 2 muajve të fundit, gjë për të cilën qeveria e Kievit bën përgjegjëse Rusinë. Sipas qeveritarëve, luftëtarë nga Rusia dhe nga rajoni i Kaukazit gjenden mes rebelëve, të cilët luftojnë kundër rregullave të Kievit.
Një tjetër deklaratë nga shërbimi kufitar ukrainas bëri të ditur se separatistët në postën kufitare të Luhanskut kanë përdorur snajperë nga apartamentet private dhe kanë frenuar njerëzit të largohen nga blloku rezidencial të zaptuar prej tyre, duke e bërë edhe më të vështirë për forcat e rojes kufitare të kundërpërgjigjen me armë.
Ushtria ukrainase po merr pjesë në një operacion anti-terrorist, në përpjekje për të thyer rebelimin në Lindje. Rojet kufitare thanë të hënën se ushtria nuk ka ardhur ende në përforcim të tyre, për t’i ndihmuar në zmbrapsjen e sulmit në Luhansk.
SHBA, rregulla të reja për centralet me qymyrguri
Administrata Obama do të paraqesë rregullat e reja për centralet me qymyrguri, një plan që synon ta reduktojë në mënyrë drastike emetimin e gazeve shkaktare të efektit serë.
Sipas këtij propozimi, deri në 2030-n ndotja e karbonit duhet të tkurret me 30%. Kina dhe India janë në mesin e vendeve që kanë ndërmarrë angazhime të ngjashme për frenimin e ngrohjes globale.
Por, kritikët argumentojnë se rregullat e reja të Amerikës do të çojnë në mbylljen e centraleve të qymyrgurit dhe rritjen e çmimit të energjisë elektrike.
Sulmi në Bruksel, arrestohen edhe 4 të tjerë në Francë
Pas arrestimit të një 29-vjeçari, të dyshuar si autor i sulmit në muzeun hebraik të Brukselit disa ditë më parë, autoritetet franceze kanë vënë në pranga edhe katër persona të tjerë, që mendohet se kanë rekrutuar militantë për të luftuar në Siri.
Nuk dihet nëse ka ndonjë lidhje mes të ndaluarve të fundit dhe Mehdi Nemmouche, që – sipas raporteve në media, – e ka pranuar tashmë autorësinë e sulmit në muze, ndërsa mendohet se ka kaluar të paktën një vit mes xhihadistëve në Siri.
Belgjika ka kërkuar ekstradimin e tij nga Franca, policia e së cilës ende nuk ka vendosur nëse do ta zgjasë apo jo ndalimin e tij.
Top Channel