
Joachim Low është i shqetësuar për formën fizike të disa prej lojtarëve kryesorë të Gjermanisë: Bastian Schweinsteiger, Miroslav Klose, Philipp Lahm, Manuel Neuer dhe Marcel Schmelzer.
Trajneri i tre herë kampionëve të Botës nuk i përdori aspak këta lojtarë në miqësoren e barazuar 2-2 ndaj Kamerunit dhe sidomos tre të parët nuk dihet nëse do të jenë në gjendje të luajnë në Botërorin që nis më 12 qershor.
“Schweinsteiger dhe Schmelzer u stërvitën të dielën në të dyja seancat, por vendosa të mos i përdorja ndaj Kamerunit pasi është ende herët për ta. Në lidhje me Klosen, kam folur me të dhe stërvitja intensive që ka bërë për të qenë gati për Botërorin e ka lodhur paksa. Më tha që i duhen disa ditë për të rifituar formën e duhur dhe se nuk ishte gati për këtë takim”, shpjegoi Low.
Probleme me dëmtimet kanë edhe Lahm (kavilje) e Neuer (shpatull). Ja gjendja e tyre sipas Low: “Janë stërvitur mirë dhe janë në formë të plotë. Nuk do të kenë probleme.”
Top Channel