Me një program kushtuar bashkimit ekonomik të Shqipërisë dhe Kosovës  ka hyrë në garën për zgjedhjet parlamentare në Kosovë, Aleanca për Kosovën e Re.

Lideri i saj Bexhet Pacolli thotë se këtë e ka pasur synim të reflektuar, sipas tij edhe gjatë bashkëqeverisjes me PDK, qeveri e cila filloi mbledhjet e përbashkëta me kabinetin e kryeministrit Rama në Shqipëri.

“Ky program mes të tjerash parashikon bashkimin e tregut kombëtar që ne e kemi quajtur bashkimi nis nga ekonomia. unë e shoh këtë jo vetëm si patriotizëm folklorik por si një nevojë shumë të madhe për zhvillimin ekonomik të rajonit”, thotë Pacolli.
 
Por kur pyetet nëse do të bëjë sërish koalicion me PDK-në, Pacolli përgjigjet se nuk do të pranojë asnjë ofertë që nuk përputhet dhe nuk zbaton këtë program të AKR. Në një intervistë për Top Channel ai thotë se në qeverinë e Kosovës qëndroi vetëm për hir të qytetarëve.

“AKR nuk ka vija të kuqe për askënd, por këtë herë ju garantoj që asnjëherë nuk do të bëjë koalicion me askënd nëse nuk garantohet veprimi autonom i AKR. Nuk punojmë me njerëz të përfolur, të korruptuar, të hetuar. Unë them që bashkëpunimi me partnerët e koalicionit ka qenë intensiv vetëm 1 vit e gjysmë, por jo gjithë mandatin. Qëndruam sepse ishte përgjegjësi e jona ndaj detyrimeve që kishim para qytetarëve të Kosovës”, thotë kreu i AKR.
 
Programi i AKR planifikon mbylljen e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, të cilën Pacolli e sheh si dëmtuese të Kosovës dhe shkaktare të mjerimit të qytetarëve.
 
“Këtë agjenci e urrej dhe e quaj si organizatë kriminale sepse nuk ka patur rrugë më të mirë për të dëmtuar kosovën më mirë se ata. Për këtë arsye me ardhjen time në spektrin politik të Kosovës, kam patur si synim që kjo agjenci të mbyllet. Kjo agjenci do të përdorë asetet e Kosovës si instrumentet e krijimit të partneriteteve publiko-private me investitorët”, rrëfen Pacolli.
 
Sipas Pacollit modelin e suksesit të qeverisjes së AKR kjo parti e ka treguar në krye të dikastereve qeveritare e që sipas tij e çuan Kosovën deri në renditjen 40 vende më lartë në raportin  e të bërit biznes dhe po ashtu linjën 400 kv Shqipëri-Kosovë.

Top Channel