Britania kundër Junkcer në krye të KE-së

01/06/2014 00:00

Britania kërcënon të lërë BE-në nëse President i Komisionit Europian bëhet ish-Kryeministri i Luksemburgut Jean-Claude Juncker, të cilit Kancelarja gjermane Angela Merkel ia ka dhënë tashmë mbështetjen e saj.

Der Spiegel citon kreun e qeverisë britanike të jetë shprehur se caktimi i Juncker-it mund ta destabilizonte qeverinë e tij, duke afruar akoma më shumë planet e referendumit mbi anëtarësimin në bllokun europian.

Vetë Downing Street nuk ka bërë asnjë koment mbi artikullin e revistës gjermane. Partia Popullore Europiane e Juncker-it fitoi numrin më të madh të vendeve në PE nga zgjedhjet e majit.

Grupimi i qendrës së djathtë që përfshin dhe Kristian-Demokratët e Merkelit siguroi 213 nga 751 vende gjithsej dhe zgjodhi ish-kreun e qeverisë së Luksemburgut si kandidat për postin që lëshon portugezi Jose Manuel Barroso. Por David Cameron është njëri prej disa liderëve europianë që kundërshtojnë caktimin e tij, ndërsa i ka bërë të qarta pritshmërite e veta për vendosjen e një reformatori në krye të ekzekutivit të Bashkimit Europian.

Sipas Der Spiegel, paralajmërimin e tërheqjes së Londrës nga BE-ja, Cameron ia drejtoi Angela Merkel-it gjatë takimit të tyre të fundit në Bruksel.

Duke cituar burime pranë pjesëmarrësve në këtë takim, revista me shume influence citon shefin e qeverisë britanike të jetë shprehur se “një fytyrë e viteve 1980, nuk i zgjidh dot problemet e 5 viteve të ardhshme”.

Raporti vjen një ditë pasi Merkel e shprehu hapur mbështetjen e saj për Junker-in dhe deklarata e Cameron-it, në qoftë e vërtetë, e vendos Kancelaren gjermane në një pozitë mjaft të vështirë.

Top Channel