“Vajzën e vrava nga turpi i fshatit”

31/05/2014 00:00

“E vrava se nuk munda dot të përballoja përpara fshatit turpin që më solli vajza ime”. Kjo është deklarata e Doksan Dushkut dhënë para Prokruroisë së Krimeve të Rënda që po e heton për krim në familje.

Për të moshuarin Dushku, nga fshati Sllovë i Dibrës, humbja e nderit të familjes nga e bija, Fatmira, e cila u zbulua se ishte 5-muajshe shtatzënë, ishte shkaku dhe motivi i vetëm i vrasjes së 21-vjeçares, e cila u qëllua nga i ati mesnatën e 27 majit pas disa orëve debat.

“E kuptova që ime bijë ishte shtatzënë gati dhjetë ditë para krimit, kur ajo ndodhej në oborr. Gjatë këtyre ditëve e kam pyetur dhe i kam kërkuar se kush ishte i ati, por ajo nuk më tregoi. Atëherë unë thirra fëmijët e tjerë mbrëmjen e vrasjes dhe e pyetëm deri vonë, por ajo sërish nuk tregoi. Kur të gjithë po flinin, unë po rrija në oborr, ku Fatmira po bëntë ende punët. Mu errën sytë kur e pash, mora armën dhe e qëllova”, ka thënë Dushku.

Ai ka rrëfyer para prokurorëve se edhe varrimi i vajzës dhe përhapja e lajmit për vdekje aksidentale të saj ishte bërë për shkak të frikës nga trupi në fshat.

Gjyqtari i Krimeve të Rënda, Fran Prendi shpalli masën e sigurisë arrest me burg për të moshuarin, për akuzën e vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare, vepër e cila pas ashpërsimit të Kodit Penal parashikon dënimin nga minimalja 35 vjet heqje lirie deri në burgim të përjetshëm.

Ndërkohë, Prokuroria e Krimeve të Rënda është në pritje të përgjigjjes së testit të ADN-së, që pritet të hedhë dritë mbi atësinë e fëmijës së të ndjerës.

Pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve në Kodin Penal, ku jo vetëm krimet në familje por edhe ato për shkak të marrëdhënieve familjare, siç janë vrasja e bashkëjetueses apo ish-bashkëjetueses, i vjehrrës apo vjehrrit, gjykohen në Tiranë në Gjykatën e Krimeve të Rënda.

Nga qershori 2013 deri më maj 2014 rezulton se janë kryer si të tilla 21 vrasje, ku kryesojnë krimet ndaj bashkëshorteve. Ndërsa janë ende nën hetim edhe pse është shpallur masa e sigurisë arrest me burg për 12 personat.

Top Channel