
Presidenti amerikan Barak Obama dhe ai ukrainas Petro Poroshenko do të takohen javën e ardshme në Varshavë, ku do të zhvillohet ceremonia e 25-vjetorit të rënies së regjimit komunist në Poloni.
Shefi i Shtëpisë së Bardhë, sic njoftojnë mediat ndërkombëtare, do të ritheksojë angazhimin ndaj Europës Lindore, pas aneksimit të Krimesë nga Rusia.
Vizita katër-ditore e Presidentit amerikan Barak Obama në Europë do të përfundojë më 6 Qershor në Normandi të Francës, ku do të shënohet 70-vjetori i operacioneve të forcave aleate. Në këtë ceremoni do të jetë i pranishëm edhe presidenti rus, Vladimir Putin, por Shtëpia e Bardhë tha se Obama nuk ka në plan të takohet me kreun e Kremlinit.
Presidenti rus, Vladimir Putin i bëri thirrje qeverisë ukrainase të ndalë operacionin ushtarak kundër separatistëve pro-rusë në pjesën lindore te vendit. Gjatë një bisede telefonike me Presidentin francez Fransua Holond, Putin vuri në dukje nevojën për t’i dhënë fund menjëherë dhunës dhe gjakderdhjes nga Kievi si dhe për të nisur dialogun e drejtpërdrejtë mes Kievit dhe përfaqësuesve në pjesën jug-lindore.
Të premten Ministri i Mbrojtjes së Ukrainës, Mykhailo Koval tha se “forcat ukrainase do të vazhdojnë ofensiven kundër kryengritesve derisa të vendoset paqja dhe rendi në lindje te vendit”.
Luftimet janë intensifikuar në Slloviansk, ku separatistët goditen të enjten një helikopter të ushtrisë dhe vranë 12 trupa.
Top Channel