Kryetari i PDK-së Hashim Thaçi bëri fushatë në rajonin e Dukagjinit, ku kërkoi mbështetje për Misionin e Ri, i cili sipas tij do të krijojë 200 mijë vende të reja pune.

“Ju si Istog mund të jeni përfitues të mëdhenj, sepse jeni njerëz të punës, jeni njerëz që me djersën e punës jeni zhvilluar e keni avancuar. Ju ftoj të gjithëve, pa asnjë dallim, mësimdhënës, punëtorë të shëndetësisë, veteranë të UÇK-së, familje të dëshmorëve, invalidëve, shërbyesit civil, pensionistë e të rinj grumbullohuni, dilni dhe votoni. Angazhohuni masivisht në një fushatë të qetë dhe në mënyrë festive të dielën e ardhshme dilni e votoni. Votoni PDK-në, partnerët e koalicionit, numrin 58, numrin e fitores”, deklaroi Thaçi.

Thaçi tha se ai duhet ta fitojë edhe mandatin e tretë qeverisës, për të përmbushur Misionin e Ri, atë të zhvillimit ekonomik, krijimit të vendeve të punës dhe mirëqenien sociale të qytetarëve të Kosovës.

Mustafa: Do ndalim kontrabandën në Mitrovicë

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa tha në Mitrovicës se qeveria e drejtuar prej tij do ta ndalë kontrabandën në veri që sipas tij, po i kushton miliona euro buxhetit të shtetit.

“Mitrovica do të jetë simboli se si ne do ta luftojmë kontrabandën, korrupsionin dhe se si do ta luftojmë krimin e organizuar. Mitrovica nuk do të ketë më frikë, do t’i harrojë SHIK-at, shërbimet e sigurimit, sepse ata nuk mund të kenë punë në një Kosovë në të cilën askush nuk do të jetë mbi ligjin. Nëse Kosovës i nevojitet shërbim, atëherë ai do të jetë shërbim i Kosovës, por jo shërbime partiake, jo shërbime grupore”, deklaroi Mustafa.

Lidhur me të ardhmen e Trepçës, Mustafa tha se atë do t’ua kthejë minatorëve, ndërsa për të do të vendosë Kuvendi i Kosovës, si përfaqësues i popullit.

Kurti: Kosova, shtet i punës dhe prodhimit

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, gjatë një tubimi elektoral në Podujevë, u premtoi banorëve të Llapit se me Vetëvendosjen në qeverisje, Kosova do të jetë shtet i punës dhe i prodhimit.

“Vetëvendosja e bën bashkë drejtësinë shtetërore dhe ekonominë prodhuese dhe barazinë shoqërore. Prandaj Vetëvendosja është alternativa dhe tani ajo duhet të qeverisë. E para shteti i së drejtës është demokraci, republikë, ligj, pushtete të ndara, sovranitet dhe paqe. Këtë model të shtetndërtimit e kemi marrë kryesisht prej vendeve shtyllë prej republikanizmit evropian, Francës dhe Gjermanisë”, tha Kurti.

Sipas Kurtit, Vetëvendosja është alternativa e vetme e cila duhet të qeverisë.

Makolli: Programi i AKR zhvillon vendin

Nënkryetari i AKR-së, Ibrahim Makolli u tha qytetarëve të Podujevës se Llapi dhe Kosova kanë nevojë për programin e AKR-së, që sipas tij, garanton një zhvillim për gjithë vendin.

“Kosova sot ka nevojë për zhvillim ekonomik. Kosova para se të mendoj për rritje të pagave ka nevojë që të shtojë vendet e punës. Kosova para se të mendojë për të krijuar fonde prej miliarda eurosh ka nevojë që të krijojë fonde për t’u përkujdesur për pensionistët, për t’u përkujdesur për rastet sociale, për të përkrahur studentët dhe bizneset e vogla e të mesme”, deklaroi Makolli.

Në këtë tubim nuk ishte i pranishëm lideri i AKR-së Behgjet Pacolli, i cili gjatë ditës u takua me pensionistët në Prishtinë, të cilëve u premtoi 250 euro pension në muaj.

Haradinaj: Kosova të dijë të vërtetën e Hagës

Lideri i AAK-së Ramush Haradinaj ishte i pranishëm në Pejë, në një aktivitet ku u promovua libri “Haga e Ramush Haradinajt”, i autorit Michele O’Raili.

“Është e nevojshme që qytetarët ta dinë të vërtetën pa marrë parasysh etapat dhe angazhimet e protagonistëve. Është e rëndësishme që Kosova ta dijë të vërtetën e asaj periudhe, edhe të Hagës pse jo, por ne kemi dëshirë që ta dinë edhe të tjerët”, u shprej Haradinaj.

Në këtë aktivitet, Haradinaj u vlerësua si njeriu që i dha shembull gjithësecilit për respektimin e drejtësisë, kur doli fitues në Hagë.

Top Channel