
Kryeministri i shtetit indian ku dy kushërira adoleshente u dhunuan në grup dhe më pas u varrën në mes të qytetit ka urdhëruar një hetim federal për ngjarjen.
Lëvizja vjen pas zërave se policia nuk bëri asnjë veprim për të parandaluar vrasjen e rëndë, gjë që ka shkaktuar irritimin e opinionit publik në shtetin Utar Pradesh.
Tre agresorët e dyshuar janë arrestuar, bashkë me dy policët e akuzuar për neglizhencë në kryerjen e detyrës dhe për komplot kriminal.
“Kryeministri ka vendosur të rekomandojë një hetim lidhur me ngjarjen në Badaun, pas kërkesave të familjarëve të viktimave”, deklaroi një zëdhënës të shtunën.
Kryeministri ishte bërë subjekt sulmesh verbale pasi më herët ishte tallur me një gazetare femër pasi kjo e fundit e kishte pyetur për nurmin në rritje të rasteve të përdhunimeve në një konferencë shtypi.
Vajzat u gjetën të varura në një pemë në rajonin e Badaunit më herët gjatë javës. Familjarët e viktimave pretendojnë se policia veproi vetëm pas 12 orësh që nga marrja e informacionit se ato kishin humbur.
Babai i një prej vajzave tha më herët për BBC se ai ishte tallur nga policia kur kishte kërkuar ndihmë për të bijën. Ai tha gjithashtu se kur policët morën vesh se ai ishte nga klasat e ulëta të shoqërisë refuzuan të kërkonin vajzën e tij.
Top Channel