
Policia spanjolle ka bërë të mundur arrestimin e 6 personave me kombësi spanjolle, në orët e para të mëngjesit të së premtes, me dyshimin se ata kishin rekrutuar dhe po dërgonin 26 luftëtarë radikalë islamik në ndihmë të grupeve terroriste në Siri, Mali dhe Libi, bëri të ditur Ministria e Brendshme të premten.
Arrestimet vijnë në enklavën spanjolle të Melilla-s, në brigjet veriore të Marokut, ku një spanjoll dhe dy francezë janë arrestuar gjatë fundit të muajit Mars, me të njëjtat akuza.
Udhëheqësi i dyshuar i këtij grupi të arrestuar të premten ishte kthyer në Spanjë pas luftimeve në Siri, si dhe pas trajnimit në një kamp terrorist në veri të Malit, njoftoi Ministria e Brendshme spanjolle.
Lëvizja e militantëve islamikë nga Europa apo Afrika Veriore drejt zonave konfliktuale si Siria, Mali apo Libia, si dhe rikthimi i tyre eventual në Spanjë për të kryer sulme potencialisht terroriste, kanë qenë shqetësimi kryesor për autoritetet e këtij vendi në luftën kundër terrorizmit.
Grupi i arrestuar të premten kishte rekrutuar dhe dërguar të paktën 24 marokenë dhe 2 spanjollë në zonat e konflikteve, sipas autoriteteve. Por, ata po planifikonin zgjerimin e aktivitetit të tyre, duke kërkuar armatime dhe manuale për përgatitjen e eksplozivëve, tha Ministria e Brendshme, “veprime që kanë shtuar nivelin e rrezikshmërisë së tyre, duke i bërë ata një rrezik serioz për sigurinë kombëtare”.
Arrestimet e fundit koincidojnë me ditën e fundit të një konference të Interpol-it, të zhvilluar në Granada të Spanjës gjatë kësaj jave, mbi problemet e luftëtarëve terroristë, të cilët kalojnë kufijtë ndërkombëtarë. Më shumë se 130 ekspertë sigurie nga 33 kombe të ndryshime morën pjesë, lexohej në një deklaratë tjetër të Ministrisë së Brendshme spanjolle.
Top Channel