Skoci, nis zyrtarisht fushata për referendumin

30/05/2014 00:00

Fushata zyrtare për votimin mbi pavarësinë e skocezëve, që mund t’i ndajë ata nga Mbretëria e Bashkuar, nisi të premten, e megjithatë sondazhet tregojnë aktualisht se skocezët mund të mos zgjedhin dhënien fund të bashkimit 307-vjeçar me Anglinë.

Nacionalistët skocezë shpresojnë që dëshira për pavarësi, rivaliteti historik dhe – ajo që ata e quajnë – keqmenaxhimi disa shekullor nga ushëheqësit ekstremistë në Londër do t’i bëjnë skocezët të votojnë për ndarjen, në referendumin e 18 Shtatorit.

Politikanët kryesorë britanikë janë bashkuar kundër ndarjes së Skocisë, duke bërë thirrje për unitet dhe duke paralajmëruar mbi pasojat ekonomike të pavarësimit të rreth 4 milionë rezidentëve skocezë, të cilët janë me të drejtë vote, pra mbi 16-vjeç.

Sondazhet deri më tani tregojnë se skocezët nuk pritet të votojnë pro ndarjes, me rreth 40% të të anketuarve kundër pavarësisë dhe rreth 30% në favor të ndarjes. Por, ka ende shumë të pavendosur mes skocezëve, të cilët mund të ndryshojnë rezultatet e votimit.

“Përgjigjia ‘Jo’ në fushatën për pavarësi ka qenë kryesuese deri më tani, madje në shumicën e sondazheve”, tha Tom Mludzinski, kreu i sondazheve politike në kompaninë konsultuese ComRes. “Megjithatë diferenca në përqindje po zvogëlohet, por është ende e pamjaftueshme për të vendosur fitoren e pavarësimit nga Mbretëria”.

Ai shtoi se “jemi ende disa muaj larg dhe, nëse do të ishte e ngjashme me zgjedhjet e përgjithshme, shumë njerëz do të mund të ndryshonin mendjen në momentet e fundit… Kështu që gjithçka mund të ndryshojë”.

Nisja zyrtare e fushatës ka vendosur kufij edhe mbi shpenzimet prej rreth 1,5 milionë paund për secilin kamp. Megjithatë kampi pro-pavarësisë “Yes Scotland” dhe ai pro-bashkimit “Better Together”, do të kenë minutazhe të lira për transmetime gjatë fushatës.

Top Channel