Rënia e helikopterit ukrainas, reagojnë SHBA

30/05/2014 00:00

Për Shtëpinë e Bardhë, rrëzimi i një helikopteri të ushtrisë ukrainase nga separatistët pro-rusë në lindje të vendit tregon qartë se rebelët kanë armë të sofistikuara dhe ndihma të tjera nga jashtë.

Komentet e zëdhënësit Jay Carney erdhën vetëm disa orë pasi presidenti në detyrë i Ukrainës Oleksander Turçinov i tha Parlamentit se mjeti ishte goditur me raketë, një episod i cili i kushtoi jetën 14 personave, përfshirë një gjeneral.

“Jemi të shqetësuar nga dhuna e vazhdueshme në lindje të Ukrainës, duke shtuar këtu edhe raportet e rrëzimit të një helikopteri të ushtrisë dhe vdekjes së 14 personave. Na shqetëson gjithashtu edhe fakti që një grup monitoruesish të OSBE-së po mbahen peng nga separatistët në Sloviansk. Kjo është e papranueshme. I bëjmë thirrje Rusisë që të përdorë të gjithë influencën e saj me këto grupe, për t’i nxitur të lirojnë vëzhguesit, të hedhin armët e të marrin pjesë në procesin politik në mënyrë që vendi të ecë përpara”, deklaroi Carney.

Nga rajonet lindore të Ukrainës vazhdojnë të mbërrijnë raporte për luftime të ashpra. Në Sloviansk dhe Kramatorsk trupat e Kievit kanë vënë ne përdorim avionë luftarakë dhe artileri kundër pozicioneve të separatistëve. Edhe nga rajoni i Luhanskit ka njoftime për luftime të reja.

Në Donjeckun e kontrolluar nga militantë pro-rusë, persona të armatosur rëndë kanë hequr barrikadat para administratës rajonale. Mediat vendase thonë se e vetëshpallura “Republika Popullore”, e cila nuk njihet nga Kievi, kërkon ta kthejë këtë ndërtesë në rezidencën e saj qeveritare.

Një ditë më parë, sekretari amerikan i Shtetit John Kerry ngriti shqetësimet me homologun e tij Sergei Lavrov lidhur me njoftimet se luftëtarë të huaj po hyjnë në Ukrainë nga territori rus.

Pavarësisht mohimeve të vazhdueshme të Kremlinit, agjencia e lajmeve “Ria Novosti”, e kontrolluar nga shteti, tha se 33 nga 50 luftëtarët rebelë që u vranë të hënën në Donjeck në një betejë me trupat ukrainase ishin nga Rusia.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta