Papa, më 8 qershor lutje me Peres dhe Mazen

30/05/2014 00:00

Do të mbahet të dielën e 8 qershorit në Vatikan takimi për lutjen për paqen, për të cilën Papa Françesku ka ftuar presidentin e Izraelit Shimon Perez dhe atë të Autoritetit Palestinez, Abu Mazen.

Lajmin e ka bërë të ditur mbrëmjen e së enjtes zyra e shtypit e Selisë së Shenjtë, që ka saktësuar se kjo datë është pranuar nga të dyja palët.

Në këtë mënyrë janë konfirmuar kështu pritjet e ditëve të fundit, kur data më e mundshme dukej se ishte pikërisht e diela e 8 qershorit, pasi ishin shmangur ato të 6 qershorit, e premtja festive për myslimanët dhe 7 qershorit, për shkak se i binte e shtunë.

Koha ishte e shkurtër pasi takimi, i thirrur nga Papa Bergoglio kur ndodhej në Tokën e Shenjtë dhe menjëherë i pranuar nga dy liderët, duhej të zhvillohej para përfundimit të mandatit të presidentit Perez.

Tani që data është caktuar ka mbetur vetëm të përcaktohen modelitetet dhe përmbajtja e takimit të paqes, një sukses diplomatik i Papës, ku do të jetë i pranishëm edhe një rabin dhe një përfaqësues mysliman.

“Do të jetë një takim lutjeje, nuk do të jetë një ndërmjetësim apo për të kërkuar një zgjidhje, jo. Ne do të lutemi dhe më pas secili do të kthehet në shtëpi. Por unë besoj se lutja është e rëndësishme dhe të lutëmi së bashku pa debatuar për çështje të tjera na ndihmon”, u shpreh Papa Françesku.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB