MB: Territorin do ta kthejmë nën kontroll

30/05/2014 00:00

Ministria e Brendshme deklaroi se kanë nisur operacionet për të vënë nën kontroll çdo metër katror të territorit.

Zv/ministrja Elona Gjebrea foli për operacionin e Kurveleshit, ndërsa tha se shumë shpejt do të nisë edhe monitorimi nga ajri për të identifikuar sipërfaqet me kanabis.

“Ditën e fundit një operacion i gjerë antidrogë ka shkatërruar 2.500 bimë lëndë narkotike. Ministria e Brendshme konfirmon angazhimin në këtë operacion në nivel kombëtar për të hequr Shqipërinë nga harta e trafikut të drogës. Ky vit nuk do ketë asgjë të përbashkët me vitin e kaluar, kur u lejua krijimi i sipërfaqeve të mëdha të drogës. Këtë vit Ministria e Brendshme nuk do lejojë asnjë metër katror të jetë jashtë vëmendjes së Policisë së Shtetit”, deklaroi Gjebrea.

Operacioni anti-drogë, kundërshtohet policia

Policia e Tepelenës ka hasur në rezistencën e banorëve gjatë operacionit
të koduar “Derveni” kundër mbjelljes dhe kultivimit të bimëve
narkotike.

Unformat blu janë kundërshtuar me forcë nga një grup banorësh të fshatit Lekdush. Banorët kanë goditur me sende të forta automjetet e policisë duke u thyer xhamat, ndërkohë që janë dëgjuar edhe të shtëna me armë zjarri.

Tetë persona janë arrestuar për kundërshtim të forcave të rendit, ndërsa dy të tjerë që dyshohen se kanë hapur zjarr ndaj uniformave blu janë shpallur në kërkim.

Në ndihmë të Policisë së Tepelenës janë nisur Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, ato RENEA dhe Delta Force.

Drogë në dollapet e rrobave

Dy të dyshuar si trafikantë droge, që tregtonin kanabis sativa duke u maskuar si transportues dollapesh rrobash, u arrestuan nga policia e kryeqyetit në orët e para të së premtes.

Gjatë operacionit të koduar “Mobilieri”, në rrugën Siri Kodra u arrestuan Nard Deliu, 29 vjeç dhe Hysen Hysa, 60. Dy të arrestuarit u kapën duke qarkulluar me automjetin tip “Volksëagen” dhe në brendësi të saj u gjend lënda narkotike, e fshehur në një dollap rrobash dhe e ndarë në 10 pako.

Për disa muaj me radhe policia i kishte vënë në përgjim dy të arrestuarit dhe ka dokumentuar implikimin e tyre në tregtimin e drogës në zona të ndryshme të Tiranës. Polcia është duke hetuar pasurinë e dy të dyshuarve apo asete të tjera kriminale të përfituara.

Gjatë 24 orëve të fundit, në Tiranë, Durrës, Gjirokastër dhe Lezhë janë sekuestruar 218 kg hashash, si dhe janë asgjesuar 3 mijë e 898 rrënjë bime narkotike.

Lezhë, zbulohet parcela me kanabis

Policia në Lezhë ka zbuluar në orët e para të mëngjesit të së premtes një parcelë të mbjellë me bimë narkotike. Lajmin e bëjnë të ditur burime policore lokale, sipas të cilave parcela është zbuluar në fshatin Krajen dhe në të ishin mbjellë rreth 400 rrënjë kanabis sativa.

Burimet shtojnë se lidhur me kultivimin e këtyre rrënjëve është arrestuar pronari i terrenit, shtetasi Gjergj Brunga. Aktualisht policia e Lezhës po koordinon veprimet me prokurorinë lokale për proçedimin e mëtejshëm të kësaj çështjeje.

Top Channel