Indi, masakrohen dy vajza pas përdhunimit

30/05/2014 00:00

Indiferenca e policisë ka shkaktuar indinjatë në fshatin e shtetit indian të Utar Pradeshit, ku dy adoleshente u përdhunuan në grup e më pas u varën në pemë.

I ati i njërës prej viktimave tregoi sesi policët e kishin vënë në loje kur u kishte kërkuar ndihmë për të gjetur vajzën e zhdukur. “Kur mësuan se familja ime i përket një kaste të ulet, refuzuan të kontrollonin për time bijë”, mësohet të ketë thënë ai.

Tre persona, mes të cilëve edhe një efektiv i policisë, janë vënë në pranga në lidhje me incidentin. Vajzat e vrara ishin dy kushërira të moshave 14 dhe 16 vjeç.

Shtresëzimi i shoqërisë është shumë i madh në Indi dhe hendeku mes klasave mbetet mjaft i thellë. Dhuna është shpesh herë një mënyrë e të pasurve për të ruajtur pushtetin e për t’i kontrolluar shtresat e ulëta nëpërmjet frikës.

Zyrtarët vendas deklaruan se do të ketë një hetim të plotë mbi akuzat për diskriminim klasor nga ana e forcave të rendit. “Po të mos ishte për median, policia s’do të lëvizte as gishtin për zbardhjen e kësaj ngjarjeje”, i tha BBC-së një nga banorët e fshatit të tronditur nga përdhunimi dhe ekzekutimi i vajzave.

Vëmendja e autoriteteve ndaj dhunës seksuale në Indi është rritur ndjeshëm që prej përdhunimit në grup të një studenteje në një autobuz të Nju Delhit në vitin 2012 dhe vdekjes së saj.

Por sërish episodet e dhunës ndaj femrave në këtë vend vazhdojnë të mbeten një shqetësim madhor, ndërsa grupet e të drejtave të grave pretendojnë se fenomenin e ushqen ndër të tjera edhe niveli i ulët i ndëshkueshmërise për akte të tilla.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB