Durrës, arrestohen dy mashtrues

29/05/2014 00:00

Më datë 28.05.2014, në orën 21:00, nga efektivë të sektorit kundër Narkotikëve e Trafiqeve dhe atyre të sektorit për Krimin Ekonomik-Financiar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Durrës, u finalizua me sukses operacioni i koduar “Mashtruesit”, ku u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Asllan Patrioti, 61 vjeç, lindur e banues në Durrës, lagjia 13. Si dhe u shpall në kërkim shtetasi Arben Shezi, 44 vjeç, lindur në Shijak dhe banues në Tiranë.

Ndaj këtyre shtetasve, sektori për Krimin Ekonomik-Financiar pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut Durrës ka filluar hetimet prej dy muajsh, si rezultat i të cilit është arritur të zbulohet mekanizmi i këtij mashtrimi, nëpërmjet të cilit kanë arritur të mashtrojnë shtetas të ndryshëm, me motiv “pajisjen e tyre me dokumenta të ndryshëm për të aplikuar për të shkuar në shtetet e Kanadasë, SHBA-ve, Britanisë së Madhe dhe Belgjikës, me dokumenta me mbishkrimet “CBI”, “Antiterror”, “Antimafia” etj, dhe pas arritjes se tyre në destinacion do t’i pajiste me dokumenta “vërtetim anëtarësie pranë Shoqatës për Integrimin e të Përndjekurve Durrës”, përkundrejt shumave që variojnë nga 3000 deri në 8000 euro.

Ndaj këtyre shtetasve është ngritur akuza për veprën penale të “mashtrimit, e kryer në bashkëpunim”, parashikuar nga neni 143, paragrafi 2 dhe 25, i Kodit Penal shqiptar. Jane sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi e konsiderueshme dokumentesh të falsifikuara, si Distinktivë me mbishkrimet e CBI, dokumete me mbishkrimet “Antiterror”,  80 dokumente identifikimi personash të tjerë, si dhe 40 vërtetime nga “Shoqata për Integrimin e të Përndjekurve Durrës”.

Gjithashtu, nga oficerët për Krimin Ekonomik-Financiar po punohet për verifikimin dhe dokumentimin ligjor të disa informacioneve e të dhënave të tjera, që mund të rëndojnë mbi këta persona, pasi dyshohet se kanë mashtruar rreth 11 shtetas, duke iu përvetësuar shumat që varijojnë nga 2000 deri në 5000 Euro, duke iu premtuar shtetasve se emrat e tyre janë pjesë e listës së personave, që do të pajisen me apartamente banimi nga Enti i Banesave pranë Bashkisë së Durrësit.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për hetime të mëtejshme.

Top Channel