33 deputetët e opozitës maqedonase kanë hequr zyrtarisht dorë nga mandatet e fituara në zgjedhjet parlamentare të 27 Prillit.

Të mërkurën, personalisht, çdo deputet ka depozituar dorëheqjen në arkivin e Parlamentin në Shkup. Kryetari i partisë më të madhe opozitare LSDM, Zoran Zaev, ka thënë se opozita nuk mund të bëhet pjesë e përbërjes së re parlamentare, e cila – sipas tij – nuk është shprehje e vullnetit të lirë të qytetarëve.

“Me kthimin e mandateve i bëjmë me dije Nikola Gruevski-t dhe qeverisë së tij, se nuk mundet ta detyrojë me forcë opozitën, që të kthehet në Parlament. Nikola Gruevski duhet të marrë përgjegjësinë për zgjedhjet kriminale të 27 Prillit, si dhe për problemet që lindën nga ky proces jo demokratik”, tha Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.

Vendimi për kthimin e mandateve, që u mor një ditë më parë nga partitë opozitare, nuk është respektuar vetëm nga deputetja e Partisë Liberal Demokratike, Rosa Topuzovska. Opozita maqedonase ka paralajmëruar se do të veprojë jashtë institucioneve, deri në organizimin e zgjedhjeve të reja.

“Lidhja Social-Demokratike e Maqedonisë, në koordinim me partnerët e koalicionit opozitar, po përgatit platformën për të vepruar jashtë Parlamentit, kundër këtij regjimi. Do të jenë aktivitete precize, në të cilat mund të marrin pjesë të gjitha forcat progresive. Qëllimi i vetëm është që të kthejmë demokracinë nëpër institucione dhe të krijohen kushte për zgjedhje korrekte dhe demokratike”, tha Zoran Zaev.

Partia VMRO-DPMNE, që ka fituar zgjedhjet, ka njoftuar se është e gatshme të vazhdojë mandatin, edhe pa opozitën maqedonase në Kuvend. Në reagimin e VMRO-DPMNE-së thuhet se zgjedhje do të ketë pas katër viteve.

Sipas analistëve, vendimi i opozitës për të bojkotuar Parlamentin pritet të shkaktojë krizë politike në Maqedoni.

Top Channel