Arben Manaj – Zgjedhjet e “Super të Dielës” në kontinent dhe vala e cunamit që duket se ka shkatërruar shumë nga ç’ka gjetur përpara nga ngrehina politike e Europës, do të ketë reperkusione të mëdha në mënyrën sesi do të funksionojë demokracia parlamentare multinacionale po se po, por edhe çka është më e rëndësishme, pritet të ketë efekte negative për vendet aspirante që dëshirojnë t’i bashkëngjiten klubit politik në Bruksel.
Elita politike në shumë nga vendet e BE-së, por edhe euroelita e Brukselit, pritshëm do të duhet të reflektojnë realitetet e reja politike, falë votës demokratike europiane, edhe pse në zgjedhjet për në Parlamentin Europian, banorët e kontinentit demonstrojnë letargji dhe alergji elektorale, edhe për shkak të pakënaqësisë dhe deziluzionit nga performanca, sidomos ekonomike e projektit federal të Europës së Bashkuar.
Pa dyshim që Parlamenti i ri Europian në Strasburg do ketë një konfiguracion të ndryshuar, ku partitë e qendrës do të tkurren përballë formacioneve euroskeptike, apo partive e grupacioneve të ekstremit të djathtë, apo edhe ekstremit të majtë, me tipare të frikshme raciste, pse jo, apo prurjeve antiestablishment.
Kjo rezultante do të duhet të përkthehet me kontrapedale më të shtrënguara për politikat dhe direktivat që do vijnë zyrtarisht nga Ekzekutivi në Bruksel.
Jo vetëm Parlamenti i ri Europian do të jetë ndryshe dhe i fragmentuar, por edhe elita tradicionale politike në vende të ndryshme të BE-së, instinktivisht do të duhet të reflektojnë dhe adoptojë politika, programe e qasje të reja, aq më tepër kur edhe shumë prej partive që janë sot në pushtet janë në prag zgjedhjesh të përgjithshme.
Dhe shenjat e para kanë filluar të duken. Të paktën në Britani, Kryeministri Cameron ka filluar të ashpërsojë sërish retorikën kundër BE-së dhe për “pataten e nxehtë”, atë të emigracionit, e cila duket se ka acaruar një pjesë jo të vogël të elektoratit britanik dhe ka forcuar radhët e ushtrisë së euroskeptikëve, me në krye partinë UKIP, e cila fitoi zgjedhjet e fundit europiane në ishull.
Pa mëdyshje, tek e mbramja, e njëjta gjë do duhet dhe pritet të ndodhë edhe në shumë vende të rëndësishme të Unionit, si Francë, apo gjetkë.
Në fund të fundit, tërë ky cunam euroskepticizmi që sapo u dëshmua në mbarë kontinentin, është nënprodukt jo vetëm i politikave dhe asgjësisë së korrektesës politike të shumë establishmenteve nacionale, por përfaqëson edhe konkretizimin e dështimit kolektiv të zhvillimeve të fundit në politikën europiane, ku pa dyshim zgjerimi i mëtejshëm, argumentueshëm, ka çuar në zhvillime frustruese për elektoratet e vendeve më të pasuara kundrejt lëvizjeve të popullsisë nga vendet më të varfra të Bashkimit Europian.
Zgjerimi i ardhshëm europian mbetet pa dyshim e panjohura më e madhe në axhendën e ardhshme të euroelitës, pas ngritjes së euroskepticizmit apo tërmetit politik nga populizimi në kontinent.
Dhe si për ironi të fatit, vendet aspirante, mes tyre Shqipëria, duket se do të duhet të jenë viktima potenciale të një konfiguracioni të ri politik dhe parlamentar në institucionet e rëndësishme të demokracisë dhe burokracisë europiane.
Do të ishte një bast irracional të thuhej që sot se si do të jetë e ardhmja e statusit të ardhshëm të Shqipërisë si vend kandidat, kur dihet se vende skeptike ndaj kandidaturës së Shqipërisë si Britania apo Franca, janë epitomë të euroskepticizmit të fundit, ku partitë si UKIP apo Front Nacional dolën partitë e para.
Mundet shumë mirë që Londra dhe Parisi të mbyllin një sy dhe një vesh, apo ta kalojnë aprovimin e tyre me heshtjen më të madhe për çështjen e statusit të ardhshëm si vend kandidat të Shqipërisë, në kushtet e reja të krijuara, çka edhe nëse Kryeministri britanik dhe Presidenti francez do të kishin dashamirësinë më të madhe pro Shqipërisë, politikisht një shkelje syri ndaj Tiranës do të ishte një gjest politik në kohën e gabuar për rrethanat e tyre politike në vendet respektive.
Mundet që ky status edhe të tolerohet për Tiranën, e cila ka bërë aq sa ta meritojë, por koha dhe momenti politik, edhe kësaj here, nuk është më me “të pafatin” në veçanti dhe Ballkanin në përgjithësi.
Përtej procedurës së rëndësishme të statusit të vendit kandidat, ajo që është më e rëndësishme, integrimi i mëtejshëm në strukturat zyrtare të BE-së, negociatat që pasojnë do të jenë shumë të vështira për Shqipërinë dhe vendet e tjera kandidate të BE-së nga gadishulli i Ballkanit, çka do duhet të jetë një shenjë e mirë, por edhe e keqe në vartësi të këndvështrimit.
Neo-euroskepticizmi europian do të ndryshojë shumë nga orientimet politike të Bashkimit Europian dhe zgjerimi i mëtejshëm i Unionit me vende të reja, që përgjithësisht janë vendet më të varfra faktikisht të kontinentit, do jetë e fundit në axhendën jo vetëm të Brukselit, por edhe të qeverive të veçanta anëtare të BE-së.
Ndërkohë që vendet aspirante do ta kenë tash e tutje shumë më të vështirë se vendet e tjera që tashmë janë anëtarësuar, si Rumania, Bullgaria apo Kroacia p.sh. për t’u anëtarësuar zyrtarisht në BE, pa harruar edhe shtyrjen e afateve kohore si data anëtarësimi, si shprehje kokëforte e lodhjes nga zgjerimi europian jo vetëm brenda elitës politike, por edhe në elektoratin paneuropian, gjithnjë e më euroskeptik.
Top Channel