Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka qenë sërish arenë e përplasjeve të krerëve të Kosovës dhe atyre të Serbisë, për gjendjen politike në Kosovë.

Derisa presidentja kosovare, Atifete Jahjaga, ka folur për arritjet dhe punën, që po bën Prishtina zyrtare drejt integrimeve, presidenti serb Tomislav Nikoliç ka akuzuar Kosovën se, me krijimin e Forcave të Armatosura, po kërcënon paqen në Ballkan.

Megjithë këtë, presidentja Jahjaga nuk zgjodhi që të polemizojë me të njëjtën gjuhë si Nikoliç, por i ka njoftuar përfaqësuesit e vendeve anëtare të OKB-së për realitetin në terren dhe gatishmërinë e palës kosovare për bashkëpunim me serbët.

Ajo ka thënë se, derisa po flet në Këshillin e Sigurimit, në Rudnicë të Serbisë janë duke u nxjerrë mbetje mortore të civilëve kosovarë. Megjithë këtë, ajo tha se palët duhet të tejkalojnë politikën, për të mbyllur këtë kapitull të dhimbjes së familjeve.

Presidentja Jahjaga ka thënë se Kosova, me arritjet e deritanishme dhe me procesin e dialogut e marrëveshjet për normalizimin e raporteve me Serbinë, i ka kontribuar paqes në rajon. Jahjaga ftoi gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim etnie, që të marrin pjesë në zgjedhjet e 8 Qershorit.

Ndërkaq, nga ana tjetër, presidenti serb Tomislav Nikoliç tha se Beogradi do të vendosë nëse do t’i ftojë apo jo serbët e Kosovës, që të votojnë në zgjedhjet e 8 Qershorit, duke shtuar se Prishtina, me paralajmërimin për formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, po kërcënon me armë.

Në mbështetje të qëndrimeve të Nikoliçit, nga përfaqësuesit e vendeve anëtare doli ambasadori rus Vitali Churkin, duke e quajtur krijimin e Forcave të Armatosura kundër-produktive. Por, ambasadorët e vendeve perëndimore, që e kanë mbështetur Kosovën për krijimin e Forcave të Armatosura, deklaruan se të gjitha hapat në këtë drejtim janë bërë në koordinim me NATO-n.

Top Channel