Rummenigge vlerëson Guardiolën

27/05/2014 00:00

Karl-Heinz Rummenigge, drejtori ekzekutiv i Bayern Munchen, ka vlerësuar me nota pozitive sezonin e parë të Pep Guardiolës në krye të skuadrës bavareze, sezon në të cilin ka fituar Superkupën e Europës, Bundesligën, Kupën e Gjermanisë dhe Botërorin e Klubeve.

“Nuk jam i habitur pasi cilësitë e tij i kishte treguar tek Barcelona. Është një trajner i mrekullueshëm, me plane të qarta në kokë. Jemi shumë të lumtur me të. Falenderojmë Zotin që na e dërgoi”, tha Rummenigge për faqen zyrtare të Bayern Munchen.

Dy herë fituesi i Topit të Artë si futbollist mendon se merita e Guardiolës është edhe më e madhe po të marrësh parasysh se erdhi pas vitit të Tripletës: “Pas një viti të tillë, njerëzit mendojnë se nuk ka nevojë për ndryshime, por Pep bëri ndryshimet e duhura dhe gjithçka shkoi mirë. Lahmin e vendosi në mesfushë dhe e përmirësoi taktikisht skuadrën. Lahm, Robben dhe Neuer janë shumë të kënaqur me lojën e re.”

Rummenigge foli edhe për gjërat që nuk shkuan mirë në sezonin e parë të Guardiolës në Mynih: “Iu desh të mësohej me gjuhën dhe kulturën e re. Mendoj se është shumë i inatosur për faktin që nuk fitoi Ligën e Kampioneve.”

Top Channel