Grupi i miqësisë Shqipëri-Gjermani

27/05/2014 00:00

Është mbledhur grupi parlamentar i miqësisë Shqipëri-Gjermani, një strukturë e ngritur për t’i dhënë një tjetër hov marrëdhënieve mes dy vendeve.

Në takimin e zhvilluar pasditen e së martës, të pranishëm ishin Kryeministri Edi Rama, kreu i Kuvendit Ilir Meta, Ambasadori Gjerman në Tiranë, Helmut Hofman si dhe deputetë të mazhorancës dhe opozitës.

Në fjalën e tij, kryeministri Rama vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve dhe përgëzoi nismën për krijimin e këtij grupi, ndërsa kreu i Kuvendit, Ilir Meta tha se Gjermania duhet të jetë një shembull nga përvoja e të cilit duhet të përfitojmë sa më shumë.

Deputeti socialist, Taulant Balla vlerësoi bashkëpunimin mes dy parlamenteve, ndërsa shtoi se krijimi i këtij grupit të miqësisë së përbashkët do t’i shërbejë akoma më fort kësaj miqësie. Kryetarja e Komisionit të Integrimit, Majlinda Bregu nga ana e saj vlerësoi mbështetjen e pamasë të Gjermanisë në të gjitha proceset integruese të vendit tonë.

Ndërkohë ambasadori gjerman në Tiranë, Helmut Hofman bëri një rezyme të mbështetjes së Berlinit për vendin tonë, si në përpjekjet drejt integrimit, ashtu edhe në projektet financiare prej miliona eurosh të lëvruara për vendin tonë ndër vite.

“Përgëzoj të gjithë pjesëtarët e grupit parlamentar të miqësisë me Gjermaninë dhe i falenderoj përzemërsisht për krijimin e këtij grupi. Gjermania prej shumë vitesh është e angazhuar në Shqipëri dhe kemi investuar në Shqipëri më shumë se sa 1 miliard euro në projekte të ndryshme të fokusuara vecanërisht në infrastrukturë”, deklaroi Hofman.

Top Channel