Durrës, ekzekutohet Arben Tollia

27/05/2014 00:00

Është ekzekutuar në Durrës, vetëm pak javë pas daljes nga burgu, Arben Tollia, i dënuar për marrëdhënie seksuale me dhunë dhe i njohur si manjak seksual për shkak të morisë së mashtrimeve dhe përdhunimeve të kryera.

Ngjarja ndodhi  mbrëmjen e së hënës kur persona ende të paidentifikuar e kanë qëlluar me armë zjarri automatike, duke e lënë të vdekur në vend 55 vjeçarin.

Në janar të këtij viti Tollia u vu në qendër të vëmendjes pas publikimit të denoncimit për përdhunim nga një 30-vjeçare me të cilën ishte njohur përmes rrjetit social ‘Facebook’.

Tollia kishte përfituar për ta takuar pas marrjes së një lejeje shpërblyese nga burgu ku vuante dënimin me 12 vjet heqje lirie. Ngjarja bëri bujë, pasi e reja u detyrua ta tërheqë denoncimin, teksa u njoh me historinë e tij.

Tollia joshte vajzat e gratë duke u hequr kryesisht si biznesmen ndërtimi apo i dashuruar dhe pas kryerjes së marrëdhënieve seksuale me to i mbante nën presion përmes fotove nudo që deklaronte se do t’ua dërgonte familjarëve të tyre.

Hetimet mbi vrasjen e tij janë përqendruar në pistën e hakmarrjes, ndërsa rrethi i të dyshuarve është i gjerë pasi përbëhet nga moria e viktimave seksuale të tij dhe familjarëve të tyre.

Viktima ishte dënuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda me 12 vite burg për të paktën pesë raste përdhunimesh, ndërkohë që është deklaruar se ai ka abuzuar me shumë gra dhe vajza të tjera në Durrës, Elbasan dhe Lushnje.

Top Channel