Vendi përballë ndryshimit të Kushtetutës

26/05/2014 00:00

Vendi i drejtohet një debati publik për nevojën ose jo të ndryshimeve kushtetuese. Shumica e ekspertëve kushtetues, politikanëve dhe dy ish-presidentë, të thërritur sot në debatin e parë, deklaruan se është i nevojshëm ndryshimi i Kushtetutës, duke prekur, mes të tjerave, edhe mënyrën e zgjedhjes së Presidentit, për të mos lejuar më që ky proces të jetë një pazar i ulët politik.

“Në mënyrë që vendimi eventual për të ecur përpara në rrugën e reformës, të mos shndërrohet në një tjetër ndasi politike këtu në Shqipëri, si shumë të tjera që kemi parë deri më tani, është e rëndësishme që t’i jepet përgjigje kësaj pyetjeje, që unë shtrova pak më lart. Pra, objektivisht, ka apo nuk ka nevojë për reformë kushtetuese në Shqipëri?”, u shpreh Gent Ibrahimi, drejtor ekzekutiv, IPLS.

“Për pyetjen e ushtruar që në fillim, në hapje të kësaj tryeze, nëse ka apo jo vullnet politik për një reformë të tillë, unë jam këtu për ta thënë shkurt fare: Po, ne kemi vullnet për një reformë të tillë”, u përgjigj Fatmir Xhafa, kryetar i Komisionit të Ligjeve.

16 vjet nga miratimi i Kushtetutës, elita e Jurisprudencës në vend ka hapur debatin publik, nëse është apo jo prioritet reforma kushtutuese. Dhe qëndrimet kanë qenë pro dhe kundër.

“Unë besoj që është ezauruar ky ushtrim. Në grupin politik ku bëj pjesë, sigurisht më dhemb kjo, sepse do të doja të kishim sigurisht disa ndryshime, të paktën të karakterit anti-2008”, tha Ylli Manjani, zv/ministër i Transporteve.

“Mjeti i përshtatshëm për t’iu përgjigjur konfliktit politik nuk është ndryshimi i Kushtetutës, është jurisprudenca kushtetuese”, deklaroi Ilir Rusmali, ish-kryetar i Komisionit të Ligjeve.

“Zgjedhja e Presidentit të Republikës është bërë një pazar politik. Ishte në Kushtetutë, për mendimin tim jo keq, por ne gjykojmë që Presidenti duhet të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli”, theksoi ish-presidenti i Republikës, Alfred Moisiu.

“Unë vet besoj, dhe qëndrimi që dua të ndaj këtu me ju, është që, në fakt, prioritet aktual sot në Shqipëri është zbatimi i Kushtetutës”, tha Oerd Bylykbashi, deputet i PD.

“Ose problematika që lidhen me rotacionin e Gjykatës Kushtetuese, të themi të drejtën s’ka asnjë dispozitë deri më sot; Kushtetuta ia referon ligjit, ligji ia referon Kushtetutës”, deklaroi Aurela Anastasi, profesoreshë e Të drejtës Kushtetuese.

Iniciativa për nisjen e një debati të gjerë publik kryesohet nga Fondacioni “Shoqëria e hapur për Shqipërinë”, drejtuesi ekzekutiv i të cilit shprehet:

“Nevoja për reformë dhe gatishmërinë e politikës e atë të opinionit publik, që jo nevojshmërisht duhet të ecin në dy shina paralele. Besoj se gatishmëria e opinionit publik është ajo shina që duhet të diktojë në njëfarë mënyre edhe gatishmërinë e klasës politike”, bëri të ditur Andi Dobrushi, drejtor ekzekutiv, OSFA.

Një ndër argumentet kryesore për Reformën Kushtetuese është nevoja për të rishikuar amendamentet, që iu bënë Kushtetutës në 2008-n, por edhe krizat e përsërituta në marrëdhënien e Parlamentit me Prokurorin e Përgjithshëm, zgjedhjen e Avokati të Popullit, apo emërimi i gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese.

Top Channel