Për të dytën herë brenda 8 ditëve grekët shkojnë drejt kutive të votimit në zgjedhjet për PE dhe në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale me dilema të shumta. Megjithëse në anketat e shpeshta ata kanë treguar se duan të qëndrojnë në Eurozonë, shumica beson se BE e ka përdorur Greqinë si një kavie eksperimentale për të testuar reformat e ashpra në kurriz të standardeve të jetesës.

“Tani më shumë se kurrë njerëzit kanë humbur përshtypjen se Bashkimi Europian është një sistem që mund të sigurojë prosperitet për të gjithë. Europa sot shihet me shume si një kërcënim që krijon pasiguri dhe çështja është si mund të ndryshojë kjo përshtypje?”, thotë Paskalis Aganidis anëtar i partisë “Ulliri”.

Sipas sondazheve të fundit Radikalët e Majtë që janë kundër ndihmave ekonomike me kusht reformat anti-popullore të kreditorëve të vendit, kryesojnë ndaj konservatorëve nga 1% deri në 3.2%. Kryeministri Samaras përsërit para gjithë grekëve dilemën “Stabilitet ose peripeci kombëtare” duke treguar se pas dy vitesh sakrificash dhe reformash të ashpra, vendi u stabilizua dhe u shmang dalja nga Eurozona.

Avantazh për konservatorët cilësohen paralajmërimet e shtypit ekonomik botëror se një fitore  e mundshme e Radikalëve të Majtë në Greqi mund të sjellë destabilizim të vendit,si dhe vlerësimi i fundit i agjencisë FITCH e cila rriti nivelin e besueshmërisë për ekonominë greke nga –B në B me parashikim për rritje të saj sivjet 0.5% dhe 1.5% në 2015.

Tone të ulta mbajnë edhe socialistët duke shpresuar në një rritje të fuqisë së tyre, ndërsa në lojën politike është futur fuqishëm një parti e re proeuropiane “Lumi”, me synim votën e të pakënaqurve nga sistemi politik dypartiak shumëvjeçar.

“Njerëzit në Greqi donin nje ndryshim. Nëse shihni sondazhet para se të shfaqej partia “Lumi” vendin e parë nuk e zinte as Demokracia e Re dhe as PASOK. Partia e parë ishte “askushi “. 40% e popullsisë thoshte se nuk kishte se për kë të votonte”, deklaron Stavros Teodorakis lideri i partisë “Lumi”.

Tepër e rëndësishme cilësohet vota e të rinjve kur papunësia në radhët e tyre ka arritur në masën 56% dhe dhjetëra-mijëra, shumica të diplomuar kanë emigruar. Ndërkohë po bëhet çmos që të votojë 40% e grekëve që nuk votuan të dielën e parë në zgjedhjet lokale, faktori kryesor sipas analistëve, që rriti fuqinë e neonazistëve të Agimit të Artë cilët përsëri zënë vendin e tretë në sondazhe.

Top Channel