
Trupi i pajetë i një 38-vjeçari është gjetur mëngjesin e së premtes në ujërat e lumit Osum, pranë fshatit Vodicë.
Lajmin e bëjnë të ditur burime policore lokale, sipas të cilave bëhet fjalë për një person të shpallur të humbur nga familjarët e tij një ditë më parë.
Pas njoftimit të familjarëve, organet e policisë filluan kërkimet, por vetëm këtë mëngjes ata kanë marrë një sinjalizim nga disa banorë të fshatit, për ndodhjen e trupit.
Uniformat blu e kanë marrë kufomën dhe e kanë dërguar në morgun e spitalit rajonal të Beratit, ku pritet që autopsia të hedhë dritë mbi shkaqet e vdekjes së tij.
Në morg kanë mbërritur edhe familjarët e të ndjerit, të cilët kanë konfirmuar identitetin e njeriut të tyre, Sokol Hysa. Nga hetimet paraprake, dyshohet që Hysa ka humbur kontrollin teksa ka tentuar të kalojë lumin, pasi njihej si peshkatar i zonës.
Megjithatë, do të jenë hetimet e mëtejshme që do të zbardhin motivet, pasi Osumi njihet si lum që nuk ka prurje aq të forta sa të shkaktojë mbytjen.
Top Channel