Gjyqtari i EULEX-it, Darius Silicki ka lëshuar urdhër-arreste për tre ish-komandantët e UÇK-së nga Drenica, Sami Lushtaku, Sahit Jashari dhe Ismet Haxha, të cilët u arratisën nga ambientet spitalore ku po kuroheshin si të paraburgosur.

Vendimi i kryetarit të trupit gjykues në rastin e Grupit të Drenicës ka ardhur të enjten, pasi tre të akuzuarit nuk janë paraqitur në seancën gjyqësore në Gjykatën Themelore të Mitrovicës.

Përmes një komunikate për media, EULEX-i i ka bërë thirrje Shërbimit Korrektues të Kosovës, si institucion me përgjegjësi ligjore për transferimin e të pandehurve në gjykime, si dhe Policisë së Kosovës, që t’i dyfishojnë përpjekjet e tyre për sjelljen e tre të arratisurve para drejtësisë.

Gjyqtari ndërkombëtar i EULEX-it po ashtu ka njoftuar se të paraburgosurit e këtij rasti do të vazhdojnë të qëndrojnë në burgun e Dubravës, duke u tërhequr kështu nga kërkesa paraprake për transferimin e tyre në burgun në Mitrovicën e Veriut.

Drejtori në detyrë i burgjeve të Kosovës, Shemsi Neziraj ka thënë se kanë formuar një komision disiplinor në Ministrinë e Drejtësisë për të vlerësuar përgjegjësinë për rastin e arratisjes së të akuzuarve. Neziraj ka thënë se tanimë me rastin e të arratisurve nuk mund të merret shërbimi korrektues, por organet e ndjekjes.

Ndërkohë, të enjten gjatë ditës kanë vazhduar protestat e familjarëve dhe mbështetësve të Grupit të Drenicës në ambientet e Qendrës Klinike në Prishtinë.

Për rastin e arratisjes së pjesëtarëve të Grupit të Drenicës ka pasur reagime edhe nga subjektet politike opozitare, të cilat kanë fajësuar qeverinë Thaçi për dështimin në sistemin e drejtësisë. Ky i fundit të enjten nuk ka pranuar të flasë për këtë rast.

Top Channel