
Mazhoranca nuk ka pritur as edhe një javë për të rrëzuar dekretin e Presidentit, i cili ktheu të premten ligjin për Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit të Pasurive, që i heq Presidentit kompetencën e propozimit të kryeinspektorit dhe ia kalon atë mazhorancës parlamentare.
Ky nuk ishte lajmi i vetëm nga Komisioni i Ligjeve. Pak përpara se mazhoranca të rrëzonte dekretin aty ishin edhe deputetët e opozitës, të cilët thyen për disa minuta bojkotin e nisur javën e kaluar, për të mbrojtur dekretin e Presidentit.
Oerd Bylykbashi, deputet i PD: Në rast se do të vazhdohet në këtë formë, ku Presidentit të Republikës do t’i hiqen kompetencat, si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, si një garant për instucionet e pavarura, përfshirë rolin e tij në sistemin e drejtësisë nuk besoj se ka ndonjë ekuivok në lidhje me qëllimin që kjo mazhorancë ka që të kapë cdo aspekt që nuk është ai që është parlamenti apo që është ekzekutivi. Jemi përpara një rreziku të madh që po i kanoset sistemit. Vazhdoni këtë rrugë!
Fatmir Xhafaj, Kryetari i Komisionit të Ligjeve, deputet i PS: Presidenti të bëjë detyrën e tij tek drejtësia që është e mbytur deri në fyt në korrupsion, edhe me ndihmën tuaj. Nuk ka qytetar në këtë vend që të mos e ketë kuptuar qartazi që Presidenti jo vetëm është i njëanshëm, por është tërësisht në llogore politike, biles ka marrë përsipër atë që nuk e bën dot opozita me bllokimin, largimin etj etj, ta bëjë Presidenti me arsyetime të tilla dhe me deklarata politike nga institucioni i Presidencës.
Debati nuk zgjati, sepse deputetët e opozitës u larguan, duke lënë edhe më të paqartë pozicionin e Partisë Demokratike në raport me praninë e deputetëve të saj në komisionet parlamentare.
Top Channel