Kuvendi: Të dorëhiqen gjyqtarët

20/05/2014 00:00

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë pritet të përfshihet në një skandal juridik, pasi gjyqtarë të saj do të shqyrtojnë një ankesë të Presidentit të Republikes, Bujar Nishani i cili rezulton të jetë punëdhënës i dy të afërmëve të tyre.

Kuvendi i Shqipërisë i ka dërguar një kërkesë Gjykatës Kushtetuese për përjashtimin nga pjesëmarrja në gjykim të dy gjyqtarëve në ankimimin e dorëzuar nga Presidenti në këtë gjykatë për shkarkimin e kreut të ILDKP-s Zana Xhuka.

Në këtë kërkesë, siguruar nga Top Channel e cila mban firmën e Sekretares së Përgjithshme të Kuvendit, Albana Shtylla kërkohet përjashtimi i gjyqtares Altina Xhoxhaj dhe kolegut të saj Vladimir Kristo.

Kuvendi e argumenton këtë kërkesë me faktin se “Nëpërmjet të dhënave të publikuara në faqen zyrtare të internetit të instituciuoneve shtetërore rezulton se Arben Idrizi, bashkëshort i gjyqtares Altina Xhoxhaj dhe Olti Kristo, i biri gjyqtarit Vladimir Kristo, janë punësuar në institucionin e Presidentit të Republikës, respektivisht në pozicionin e Sekretarit të Përgjithshëm dhe të Këshilltarit Ligjor.

Për rrjedhojë, thuhet në kërkesën e Kuvendit që mban datën 12 Maj 2014, Presidenti i Republikës nismëtar kësaj cështje, i cili nëpërmjet kërkesës së paraqitur  pretendon cënimin e drejtëpërdrejtë të ushtrimit të kompetencave të tij, rezulton të jetë njëherazi punëdhënës i bashkëshortit të gjyqtares, zonjës Altina Xhoxhaj dhe i djalit të gjyqtarit Vladimir Kristo.

Si bazë ligjore të konfliktit të interesit mes gjyqtarëve të kësaj cështje Kuvendi në kërkesë citon ligjin numër 8577 datë 10.2.2000 për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë neni 36 shkronja B ku thuhet:

“Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese është i detyruar të heqë dorë nga shqyrtimi i çështjes konkrete kur për shkak të lidhjeve fisnore apo lidhjeve të tjera me pjesëmarrësit në gjykim vihet në dyshim objektiviteti i tij”.

Për sa më sipër Kuvëndi Shqipërisë thotë se “në kushtet kur gjyqtarët Altina Xhoxhaj dhe Vladimir Kristo nuk kanë hequr dorë nga shqyrtimi i kësaj cështje, ndihemi të detyruar që t’i drejtohemi rregullave që parashikon neni i  ligjit të sipërcituar për t’i kërkuar Gjykatës Kushtetuese përjashtimin e tyre nga shqyrtimi kësaj çështje.

Top Channel