Kapet drogë në Gjirokastër

20/05/2014 00:00

Një sasi prej 350 kilogramë hashash është kapur nga policia e Gjirokastrës në operacionin e koduar “Tuareg”, në aksin rrugor rural Gjirokastër-Golem, në mesnatë.

Specialistët e sektorit kundër narkotikëve rreth orës 00.30 kanë marrë informacion se dy shtetas që drejtonin një automjet të tipit “Tuareg”, që po lëviste nga Lazarati në drejtim të fshatit Golem, po transportonin një sasi të madhe lënde narkotike.

Menjëhërë agjentët e anti-drogës kanë zhvilluar operacionin blic, ku u përfshinë edhe foract e policisë së komisariatit të Gjirokastrës dhe të Tepelenës.

Si rezultat u bë i mundur bllokimi i automjetit të dyshuar, me targë “AT 724 AY”, drejtuesi i të cilit dhe bashkëpunëtori i tij mundën të largohen duke përfituar nga errësira dhe terreni mjaft i vështirë.

Nga kontrolli rezultoi se në brendësi të mjetit ndodheshin 300 pako të mbështjella me ambalazh me lëtër alumini, të mbushura me hashash, me peshë të ndryshme, që gjithësej arrinin në rreth 350 kilogramë.

Lënda narkotike u sekestrua në cilësinë e provës materiale, ndërsa dy transportuesit, të identifikuar me inicialet D.R e A.S u shpallën në kërkim.

Top Channel