Një sasi e konsiderueshme droge u shkatërrua me zjarr pas urdhërit të prokurorëve pak kilometra nga Tirana, buzë lumit Erzen.
Me një prani të lartë të pothuajse të gjithë ambasadorëve të akredituar
në Shqipëri dhe krerëve të lartë të policisë dhe Ministrisë së
Brendshme, një sasi prej 1.5 ton lëndë narkotike e llojit kanabis sativa
u asgjesua.

Pas kryerjes së proçedurave standarde për verifikimin e plotë të qeseve plastike të sekuestruara më parë nga policia, filloi edhe shkatërrimi.
Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri tha se prezenca e madhe e ambasadorëve tregon për mbështetjen që partnerët ndërkombëtarë i japin Shqipërisë në luftën kundër trafikut të lëndëve narkotike.

“Po studiojmë një strategji kundër trafikut të drogës, që e kemi hartuar me partnerët ndërkombëtarë dhe që po e zbatojmë. Jemi të vendosur për ta luftuar kultivimin e drogës. Ka kontroll mbi territorin, por lufta kundër drogës nuk është e lehtë. Presioni financiar dhe kriminal është i madh, por ne do bëjmë më të mirën”, deklaroi Tahiri.

Në emër të përfaqësisë së madhe të trupit diplomatik, i ngarkuari me punë i Bashkimit Europian në Shqipëri tha se, rezultatet e luftës kundër drogës do të jenë faktori i rëndësishëm për marrjen e statusit në qershor, ndërsa kërkoi që askush të mos politizojë ngjarjen e Divjakës.

“Lufta kundër trafikut të drogës dhe krimit të organizuar mbetet një sfidë për Shqipërinë. Konsolidimi i strukturave për përmbushjen e kësaj sfide do të jetë një faktor i rëndësishëm për rrugëtimin drejt BE-së. Kjo do të merret në konsideratë nga vendet anëtare të BE-së, kur në qershor të mblidhet Këshilli i BE-së për statusin. BE është e angazhuar në mbështetje të autoriteteve shqiptare në luftën kundër krimit. Ngjarja e Divjakës nuk duhet poltizuar, ajo i takon hetimit të policisë”, deklaroi ai.

Sipas të dhënave të policisë, nga janari i vitit 2013 deri në mars të vitit 2014 janë kapur në total më shumë se 30 tonë drogë. Nga janari deri në shtator të vitit 2013, për nëntë muaj, janë kapur rreth 13 tonë drogë marijuanë, ndërsa nga janari deri në mars të vitit 2014, sipas policisë janë kapur më shumë se 15 tonë. Po sipas policisë, në prill të vitit të kaluar droga e kapur ishte 1.1 ton, ndërsa në prill të 2014 mbi 5 tonë kanabis sativa. 

Top Channel