Grekët janë shfaqur të dyzuar në raundin e parë të zgjedhjeve për përfaqësuesit e pushtetit lokal.

Nga njëra anë duket se është rritur numri i votave të protestës për politikat qeveritare, por nga ana tjetër duke përgënjeshtruar rezultatet paraprake të kompanive të sondazheve duket se ata kanë votuar kandidatët e partive të tyre tradicionale Demokracia e Re dhe Pasok që kanë udhëhequr vendin në katër dekadat e fundit.

Kështu, përveç qarkut të Atikës dhe bashkisë së kryeqytetit, në shumicën e qarqeve të vendit dhe bashkive udhëheqin kandidatët e dy partive të koalicionit qeveritar që kanë edhe shanset më të mëdha për t’u zgjedhur në raundin e dytë, të dielën e ardhshme.

Konkretisht, konservatorët pretendojnë të fitojnë 12 nga 13 qarqet e vendit, socialistët e PASOK-ut 7, ndërsa opozitarët e Syrizës vetëm 5.

Pavarësisht këtij rezultati, Radikalët e Majtë konsiderojnë fitore të madhe faktin që udhëheqin në qarkun e Atikës ku votojne 3.1 milionë grekë dhe besojnë se votimi i raundit të dytë, bashkë me votën për PE-në në 25 maj do të jenë mesazhe të fuqishme proteste ndaj politikave të ashpra dhe reformave të qeverisë së koalicionit të kryeministrit Antonis Samaras.

Rena Dourou, kandidate e SYRIZA-s për guvernatore qarku Atikë, tha: “Duhet të marrin mesazhin e këtij votimi, një mesazh të thjeshtë, një fjalë e vetme: Ikni! Merreni politikën tuaj të shpëtimit dhe masat e kursimit dhe ikni. Ju keni varfëruar shoqërinë.”

Por, një mesazh alarmi për qeverinë dhe për gjithë popullin grek janë përqindjet e larta të kandidatëve të AA. 11,1% të votave përqendroi kandidati për qarkun e Atikës, 16,1% kandidati për bashkinë e kryeqytetit, 7.5% janë votat e grekëve në gjithë vendin për ekstremistët e djathtë që kanë gjysmën e deputetëve të tyre në burg ose nën hetim për veprimtari dhe pjesëmarrje në organizata kriminale.

Ilias Kasidiaris, kandidat i AA-së për Bashkinë e Athinës, shprehet: “Ata po tallen me popullin grek dhe qëllimi i tyre është të shkatërrojnë Greqinë dhe ta kthejnë atë në një vend të kriminalitetit dhe të emigracionit të paligjshëm.”

Me interes pritet edhe raundi i dytë i këtyre zgjedhjeve të dielën e ardhshme së bashku me zgjedhjet për PE-në ku me sa duket, përveç mesazheve që mund të japë ndaj politikave të ashpra të kursimit, do t’i bjerë këmbanës së alarmit edhe për hyrjen e neonazistëve grekë në institucionin më të lartë të familjes europiane.

Top Channel