Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti i ka vlerësuar kandidatët për deputetë të lëvizjes si njerëz të drejtë dhe që do të ecin drejt në qeverisjen e Kosovës.

Në një tubim ku ishin mbledhur simpatizantë të partisë, Kurti tha se më datë tetë qershor qytetarët e Kosovës do të kenë dy mundësi para vetes: përsëritjen e asaj që sipas tij është parë dhe ndryshimin i cili mund të ndodhë me alternativën qeverisëse të partisë së tij.

“Këto parti të tjera në 15 vitet e pasluftës kanë qenë si kompani private që aplikojnë për tendera. Prandaj unë i ftoj qytetarët që të mos ua japin tenderin këtyre partive, pasi më 8 qershor nuk duhet të ketë biznes, por demokraci. VV ka një sfidë shumë të rëndësishme më 8 qershor. Nga do shkojë Kosova: nga prodhimi apo nga shitja? Nga sovraniteti apo gjymtimi territorial? Kjo do vendoset më 8 qershor”, deklaroi Kurti.

Ndërsa kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti shfrytëzoi këtë moment për të kujtuar ngjarje të vitit 2010. Ai tha se në momentet kur Partia Fryma e Re nuk e kishte kaluar pragun ishin ftuar nga njëri nga ambasadorëst, siç tha, për t’iu bashkuar qeverisë Thaçi në këmbim të një ministrie.

“Më mirë të shuhej Fryma e Re sesa të shkelnim mbi çdo gjë në të cilën ne besojmë. Edhe pse e dinim se rrezikonim shuarjen e subjektit politik, ne zgjodhëm një rrugë të gjatë e me probleme, që nuk u pëlqente ambasadorëve, por që ishte më e drejta: bashkimi me lëvizjen Vetëvendosje”, tha Ahmeti.

Lista e kandidatëve për deputetë të lëvizjes Vetëvendosje kryesohet nga Albin Kurti, i pasuar nga Liburn Aliu, Naser Berisha, Visar Ymeri, Albulena Haxhiu, etj. Ata janë prezantuar për të pranishmit nëpërmjet një ekrani në sallë.

VV prezanton programin për shëndetësinë

Lëvizja Vetëvendosje të dielën
doli në konferencë për media lidhur me shëndetin publik dhe masat që do
të ndërmerren në këtë sektor nga qeverisja e tyre.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti tha se pacientët janë të pakënaqur me shërbimet shëndetësore në sektorin publik dhe shumë prej tyre orientohen në sektorin privat ose detyrohen të shkojnë për shërim jashtë vendit si pasojë e humbjes së besimit në institucionet vendore.

Kandidatët të Lëvizjes, Mirsad Shkreta, Jusuf Ulaj, Fatmire Kollçaku dhe Burbuqe Shurdha shpjeguan hapat kryesorë që do të ndërmarrë Lëvizja.  Sipas tyre financimi i këtij sektori do të ketë 300% ngritje të buxhetit, ndërsa mjetet të sigurohen nga Buxheti i Kosovës, fondi i sigurimeve shëndetësore dhe sigurimet private shëndetësore.

Në konferencë u fol edhe për funksionalizimin e 7 spitaleve rajonale, si dhe zbatimin e strategjisë legjislative për rimëkëmbjen e shëndetësisë me zbatimin e përpiktë Ligjit për Sistemin Shëndetësor, Ligjit për Sigurime Shëndetësore, Ligjit për Kompetencat dhe Përgjegjësitë e Profesionistëve Shëndetësorë, Ligjit për Sistemin Informativ Shëndetësor, Ligjit për Mbrojtjen Shëndetësore Kombëtare dhe Ligjit për Qarkullimin e Produkteve Medicinale.

Ndërsa në kuadër të farmacisë, sipas VV, qytetarëve do t’u ofrohet qasje e lehtë, zgjerim i listës së barnave esenciale, çmim i arsyeshëm dhe cilësi e garantuar.

Top Channel