Sekuestrohen 840 kg kafe kontrabandë

18/05/2014 00:00

Në afërsi të tunelit të Kalimashit në “Rrugën e Kombit” u sekuestrua 840 kilogramë kafe e ndarë në 14 thasë me nga 60 kilogramë secili.

Sasia e kafesë ishte duke u transportuar në drejtim të Tiranës në automjetin e një 25-vjeçari me targa TR 4382 J.

Pas një kontrolli të ushtruar nga policia, rezultoi se drejtuesi nuk kishte asnjë dokumentacion për sasinë e kafesë që transportonte. Menjeherë policia bëri arrestimin e të riut, ndërsa malli dyshohet se është futur kontrabandë nga Kosova për në Shqipëri pa paguar akcizën.

Mbi 25-vjeçarin rëndon akuza për veprën penale “kontrabandë me mallra që paguhet akcizë dhe tregtim e transportim i mallrave që janë kontrabanduar”.

Materialet i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Kukës. Ndërkohë, po hetohet nëse ka bashkëpunëtorë të tjerë në kontrabandimin e kafesë.

Top Channel