Durrës, arrestohet kapiteni kontrabandist

18/05/2014 00:00

Kapiteni 62-vjeçar i anijes “Era 1” është ndaluar nga autoritetet shqiptare pas sekuestrimit të një sasie prej 47 tonësh cigare kontrabandë që po transportoheshin me anijen e drejtuar prej tij.

Burime policore bënë të ditur se shtetasi ukrainas Volodomir Demakov, me banim në Krime, është ndaluar nën akuzën e “kryerjes së kontrabandës me mallra për të cilat paguhet akcizë”.

Ngarkesa e anijes “Era 1” u sekuestrua ditën e shtunë nga Dogana dhe Antikontrabanda shqiptare në portin detar të Durrësit, ku anija që deklaroi se kishte si destinacion portin malazez të Barit u detyrua të ankorohej pas largimit të palajmëruar nga porti i Vlorës.

Katër ditë më parë “Era 1” kishte kërkuar të strehohej për shkak të motit të keq në Vlorë, por mesditën e së premtes ajo nisi lundrimin duke thyer rregullat ndërkombëtare detare. Roja Bregdetare shqiptare e shoqëroi në portin e Durrësit ku anija dhe ngarkesa e saj iu nënshtruan kontrollit të dokumentacionit dhe atij fizik nga ku rezultoi se cigaret e ngarkuara në Famagusto të Qipros Veriore nuk kishin dokumentacion të rregullt shoqërues.

Drejtoresha e Doganave, Elisa Spiropali, tha se 47 tonët me vlerë 10 milionë dollarë ishin të destinuara për tregun shqiptar.

Greqia dyshonte për ngarkesën

Autoritetet në Greqi deklarojnë se ngarkesa e anijes me 47 ton cigare që u sekuestrua në Shqipëri ishte e ligjshme ndaj edhe nuk u bllokua në vendin e tyre, por kishte dyshime se ngarkesa mund të shkarkohej rrugës.

Sipas burimeve prane doganës greke, anija u strehua në portin e ishullit Zaqinthos në 27 prill për shkak të motit të keq. Autoritetet e sekuestruan përkohësisht ngarkesën një ditë më vonë, ndërsa anijen e lanë të lirë për shkak se verifikuan se ngarkesa ishte e ligjshme.

Anija kishte difekt serioz në aparaturat e komunikimit, ndërsa u shënua në katalogun e mjeteve lundruese që monitorohen 24 orë në 24. Të njëjtat burime i thanë Top Channel-it se kishte dyshim se ngarkesa e “ERA1” do të shkarkohej gjatë ecjes në ujërat shqiptare, ndaj dhe lajmëruan autoritetet shqiptare, italiane dhe malazeze.

Mësohet se anija ka qëndruar gjatë në ujërat ndërkombëtare të Jonit dhe Adriatikut në pritje të momentit të shkarkimit në destinacionin e saj.

Roja Bregdetare greke ka nën vëzhgim edhe katër anije të tjera të dyshuara si transportuese të cigareve kontrabandë. Aktualisht, dy prej tyre ndodhen në afërsi të Kretës, njëra është jashtë ujërave greke, ndërsa e katërta ndodhet në detin Jon. Kryesisht këto anije janë të tonazhit të vogël dhe ekuipazhi i tyre është ukrainas.

PD: Është rritur kontrabanda

Partia Demokratike e përshëndeti aksionin e doganave për bllokimin e anijes me cigaret e dyshuara kontrabandë, por akuzoi kryeministrin dhe drejtoreshën e Doganava se për periudhën janar-prill kanë zhdoganuar 220 ton cigare më pak se viti 2013.

Ndaj, PD-ja thotë se qeveria duhet të japë sqarime pasi sipas saj këto të dhëna tregojnë se është rritur kontrabanda dhe evazioni. 

“Për periudhën janar-prill të vitit 2014 rezulton se janë zhdoganuar 220 ton më pak cigare se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Nuk ka rënë konsumi i cigares në vend. Këto të dhëna tregojnë se është rritur kontrabanda dhe evazioni. Ku kanë shkuar rreth 10 milionë dollarë që janë efekt financiar i zhdoganimit? Kjo është transparenca që Rama dhe drejtoresha e Doganave i detyrohen shqiptarëve dhe jo rrahja e gjoksit për një aksion që administrata e ka për detyrë ta bëjë”, tha Silvi Bardhi.

Top Channel