“Të shkarkohet gjyqtarja Çekrezi”

17/05/2014 00:00

Ministri i Drejtësisë Nasip Naço ka kërkuar shkarkimin e gjyqtares Miranda Konica Çekrezi. Një ditë pasi gjyqtarja rrëzoi kërkesën e prokurorisë për pezullimin nga detyra të gjyqtarit të Apelit, njëkohësisht anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Gjin Gjoni, Ministria e Drejtësisë njoftoi fillimin e procedurave për shkarkimin e gjyqtares.

Megjithëse ende nuk është zbardhur vendimi i Gjykatës së Elbasanit për rrëzimin e kërkesës së Prokurorisë për pezullimin e Gjonit, Ministria ka deklaruar se gjyqtarja Çekrezi ka shkelur ligjin duke pranuar gjykimin e çështjes së Gjonit. Ministria thotë se gjyqtarja në fjalë nuk mund të pranonte gjykimin e kësaj çështjeje pasi është në konflikt interesi me gjyqtarin Gjin Gjoni, pasi në vitin 2011 ky gjyqtar ka qenë kryesues i trupit gjykues ndaj një çështjeje të ngritur ndaj gjyqtares Miranda Çekrezi.

Në vendimin e trupit gjykues ndaj Miranda Çekrezit tre vjet më parë, të siguruar nga Top Channel,  trupa gjykuese e kryesuar nga gjyqtari Gjin Gjoni ka rrëzuar vendimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë për masën disiplinore “Vërejtje” ndaj kësaj gjyqtareje.

Tre vite më parë ndaj gjyqtares së Elbasanit, KLD kishte marrë masën disiplinore “Vërejtje” për cënim të figurës së Gjyqtarit pas Inspektimit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Por gjyqtarja e kundërshtoi vendimin pranë Gjykatës së Apelit, ku trupi gjykues i kryesuar nga Gjin Gjoni rrëzoi vendimin e KLD-së, duke hequr masën disiplinore ndaj Miranda Çekrezit.

Ndaj për Ministrinë e Drejtësisë, vendimi i një dite më parë i Çekrezit për Gjin Gjonin është i influencuar. “ Gjyqtarja është peng i ndereve të vjetra”, thotë Ministri Naço në deklaratë, duke siguruar në vendosmërinë e zbatimit të ligjit.

Prokuroria kishte kërkuar pezullimin nga detyra të Gjyqtarit të Apelit dhe anëtarit të KLD-së, Gjin Gjoni i cili është nën hetim për deklarim të rremë pasurie,pasuri që sipas ILDKP-së kapërcen 2 milion euro. Ndaj Gjonit janë ngritur dy kallëzime penale, një nga ILDKP për deklarim të rremë pasurie dhe një tjetër nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit për falsifikim dokumentesh.

Po të premten edhe Gjykata e Durrësit ka rrëzuar kërkesën e Prokurorisë për pezullimin e gjyqtares Klorinda Çela e cila është nën hetim po për fshehje të pasurisë, ndërsa bashkëshorti i saj Ken Dhima, që aktualisht është gjyqtar në Gjykatën Administrative në Vlorë është pezulluar nga e njëjta gjykatë me afatin e tre muajve.

Për çiftin e bashkëshortëve edhe Ministria e Drejtësisë kërkon nga ana e saj në Këshillin e Lartë të Drejtësisë marrjen e masës disiplinore të shkarkimit në bazë të një raporti të Inspektoriatit të Lartë të Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive që ka gjetur episodet e deklarimit të rreme të pasurisë. 

Top Channel