Kapen 47 ton cigare kontrabandë

17/05/2014 00:00

Autoritetet shqiptare bllokuan një anije të huaj tregtare që lundronte nga Greqia drejt Malit të Zi duke kapur në të një sasi prej 47 tonë cigare kontrabandë në vlerën e 10 milionë dollarëve.

Anija “Era 1” me flamur të Tanzanisë dhe ekuipazh ukrainas kishte kërkuar tri ditë më parë leje nga autoritetet për t’u strehuar në portin detar të Vlorës deri në qetësimin e detit. Por mesditën e së premtes ajo ishte larguar pa njoftuar, duke thyer rregullat ndërkombëtare detare që i detyrojnë anijet të njoftojnë dhe kërkojnë leje nga autoriteti detar i portit pritës për cdo lëvizje.

Largimi i palajmëruar ka ngritur dyshime mbi ngarkesën në anije dhe ligjshmërinë e saj. Një anije e Rojes tonë Bregdetare e ka shoqëruar anijen “Era 1”, 46 metra e gjatë dhe e gjerë 8 metra, drejt Portit të Durrësit, ku kapitenit dhe anëtarëve të tjerë të ekuipazhit gjatë natës duke u gdhirë e shtunë u janë marrë deklarimet përkatëse, ndërsa njëkohësisht ka nisur të kryhet edhe kontrolli fizik i ngarkesës, në përfundim të të cilit u konstatua se sasia prej 47 tonë cigare po udhëtonin pa dokumentacionin përkatës.

Menjëherë më pas, drejtoresha e Doganave Shqiptare Elisa Spiropali e ka cilësuar këtë aksion si një sukses duke u shprehur se tani ka një luftë të pakompromistë më veprimet e paligjshme dhe se dogana nuk mund të blihet më me para.

“Dogana është përdorur shpesh për të shitur interesat e Shqipërisë me shumë pak para, por në këtë rast, edhe me kaq shumë, me 47 ton cigare, që përkthehen në një vlerë rreth 10 milion dollarë në tërësi, nuk u ble dogana shqiptare. Ne jemi të vendosur të vazhdojmë me cdo mjet dhe formë në mënyrë të pakompromistë me trafikantë, kontrabandistë dhe me njerëz të lidhur shpesh me fije pushteti. Jemi të vendosur të presim cdo fije korrupsioni dhe të luftojmë cdo trafik e kontrabandë”, deklaroi Drejtorja e Doganave, Elisa Spiropali.

Të njëjtin qendrim përsëriti të shtunën edhe kryeministri Rama që përmes një postimi në Facebook deklaroi se “kur kapen 48 ton cigare kontrabandë do të thotë që dogana nuk blihet dot me para si vjet”.
Ndërkaq, avokati i kontaktuar nga përfaqësuesit ligjorë të kompanisë së transportit në pronësi të së cilës është anija “Era 1” ka reaguar ndaj situatës, por pa dhënë shpjegime pse kapiteni nuk ka pasur dokumentacion të rregullt për mallin.

“Jam informuar nga përfaqësuesit ligjorë të kompanisë që bën transportin e ngarkesës dhe më kanë thënë që e gjithë sasia e mallit është me dokumentacion të rregullt dhe po kontaktojmë me agjentin në Malin e Zi, sepse destinacioni ishte Mali i Zi, që të na sjellë dokumentacionin origjinal në lidhje me ngarkesë. Si rregull duhet t’i ketë kapiteni dhe unë po pres dokumentacionin origjinal”, tha avokati Idlir Tivari.

Ndonëse anija vinte nga Greqia, nga gjithë kontrolli i ushtruar rezultoi se malli ishte ngarkuar në Qipron Veriore, ndërsa destinacioni i deklaruar i mallit është Mali i Zi. Të dy këto shtete janë të njohura për evazion fiskal, ndërkohë që Mali I Zi qendron në krye të listës në Europë për kontrabandën e cigareve dhe jo pak herë është akuzuar nga autoritetet italiane për trafiqe dhe aktivitete të paligjshme prej porteve të tij me destinacion Europën Perëndimore.

Top Channel