Zbritja e malit me biçikletë

16/05/2014 00:00

80 të rinj dhe të reja, dashamirës të sporteve ekstreme, morën përsipër zbritjen e malit të Tomorit me biçikleta, me qëllim promovimin e çiklizmit malor, një disiplinë kjo që ende nuk është përfshirë nga Federata shqiptare e Çiklizmit.

“Bëmë një zbritje të malit të Tomorit, duke u nisur nga Teqeja e komunitetit bektashian, dhe arritëm të krijojmë një valë masive sportistësh me dëshirën për ta bërë këtë sport sa më popullor. Çiklistët ishin nga të katër shtetet fqinje me Shqipërinë, por kishte edhe nga Italia dhe Zvicra. Në grupin tonë kemi edhe femra, numri i të cilave është duke u shtuar, ndaj është një lajm i mirë”, tha Genadi Mero, përfaqësues i shoqatës “Mountain Bike Albania”.

Çiklizmi malor është një sport, që ka hyrë vitet e fundit në Shqipëri, dhe është shumë ndryshe nga sporti i çiklizmit, që ne jemi mësuar të shohim prej vitesh. Ndryshimet kryesore mes tyre janë: lloji i biçikletës që përdoret nga sportisti dhe terreni ku zhvillohen garat.

“Ndryshimi kryesor është që terreni është shumë më i keq, shumë më i panjohur, shumë më i papërcaktuar. Biçikleta duhet t’i ketë frenat shumë të mira. Çiklisti duhet të jetë paksa më ekstremist, le të themi, sidomos në zbritje kur ka gropa e rreziqe. Mendoj se ky lloj sporti të jep një nga shkallët më maksimale të lirisë, pasi mund të shkosh ku të duash, ndërkohë të jep edhe një nga shkallët maksimale të adrenalinës, sepse mund të përjetosh momente kur ti harron çdo gjë, dhe kur të gjitha humbasin në atë momentin e rrezikut që përjeton gjatë gjithë kohës”, shpjegoi më tej Genadi Mero.

Drejtuesit e shoqatës “Mountain Bike Albania” deklarojnë se do të organizohen udhëtime në malet më të larta të Shqipërisë, me qëllim njohjen e terrenit nga çiklistët shqiptarë dhe krijimin e premisave për gara profesionale në çiklizmin malor. Aktiviteti i radhës do të jetë në muajin Qershor në Pogradec.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA