Ndalohet anija me 48 tonë cigare

16/05/2014 00:00

Autoritetet shqiptare deklarojnë se kanë bllokuar për verifikim një anije të huaj tregtare që lundronte nga Greqia drejt Malit të Zi.

Anija “ERA 1” me flamur të Tanzanisë dhe ekuipazh ukrainas kishte kërkuar 3 ditë më parë lejë për t’u strehuar në Portin e Vlorës, deri në qetësimin e detit, ndërsa mesditën e së premtes është larguar pa njoftuar kapitenerinë, duke thyer rregulla ndërkombëtare detare, të cilat detyrojnë anijet të njoftojnë ose të kërkojnë leje nga autoriteti detar i portit pritës për çdo lëvizje.

Largimi i paralajmëruar ka ngritur dyshime mbi ngarkesën në anije dhe ligjshmërinë e saj. Një anije e Rojës Bregdetare e ka shoqëruar “ERA 1” drejt Portit të Durrësit, ku kapiteni dhe anëtarët e tjerë të ekuipazhit po bëjnë deklarimet përkatëse për autoritetet doganore dhe policore.

Verifikimi i deklarimeve dhe i dokumentacionit përkatës do të shoqërohet edhe me kontrollin e ngarkesës që ndodhet në bordin e anijes, ku në bazë të rezultateve do të vendoset edhe për veprimet e mëtejshme.

Paraprakisht deklarohet se anija e nisur nga Greqia në drejtim të Malit të Zi ka një ngarkesë prej 48 tonësh cigare kontrabandë.

Rama: Dogana nuk blihet më me para

Kryeministri Edi Rama ka komentuar lajmin për bllokimin e anijes me cigare kontrabandë ditën e premte, përmes një mesazhi në rrjetin social Facebook.

“Kush ka veshë dëgjon, kush ka sy shikon, kush ka tru kupton: Kur kapen 48 ton cigare kontrabandë, dmth që dogana nuk blihet dot me para si vjet!”, është shprehur Rama. 

Top Channel