Fier, ekzekutohet biznesmeni

16/05/2014 00:00

Ekzekutohet me armë zjarri brenda në automjet një biznesmen në Fier. Ngjarja është verifikuar rreth orës 8:30 të mëngjesit të sotëm në qendër të qytetit.

Viktima është identifikuar si shtetasi Agron Ymeraj, 53 vjeç, pronar i një firme hidro-sanitare. Nga burime policore mësohet se biznesmeni është qëlluar me breshëri automatiku kur ka hipur në automjetin e tij, tip “Audi” me targë “AA 758 BF”, që qëndronte i parkuar 50 metra larg banesës.

Dyshohet se autorët i kanë zënë pritë dhe në kohën që 53-vjeçari është futur në makinë është qëlluar mbi të nga jashtë me breshëri plumbash.

Në vendin e ngjarjes janë gjetur rreth 12 gëzhoja. Ka qenë roja i parkingut ai që ka njoftuar policinë ditën e sotme pasi ka pikasur biznesmenin e vrarë në automjet.

Nga hetimet e para dyshohet se ngjarja ka ndodhur për motive hakmarrjeje, pasi dy djemtë e viktimës rreth një vit e gjysmë më parë u akuzuan për vrasjen e inxhinierit të naftës Kol Veshi.

Juljan dhe Eljo Ymeraj u arrestuan në atë kohë me akuzën e vrasjes në bashkëpunim të 60-vjeçarit Veshi, ngjarje e ndodhur pranë banesës së tij në lagjen “8 Shkurti”.

Ngjarja ishte rrjedhojë e një konflikti mes tyre dhe djalit të Veshit. Dy vjet më parë Eni Veshi ishte sulmuar me armë teksa po kthehej në banesë, por plumbat i morën jetën të atit të tij.

Policia arrestoi dy ditë më vonë vëllezërit Ymeraj si të dyshuarit kryesorë. Por procesi penal ndaj tyre përfundoi me dhënien e pafajësisë nga gjykata në 30 shtator të vitit të kaluar. Vendimi u konsiderua i padrejtë nga familjarët e Kol Veshit, për vrasjen e të cilit zyrtarisht nuk ka autorë ose të dyshuar.

Vrasja e të atit të dy të akuzuarve ka çuar policinë në pistën e hakmarrjes, megjithëse nuk e ka konfirmuar zyrtarisht dhe nuk ka përjashtuar pista të tjera të hetimit.

Shkodër, sherri banal i merr jetën 25-vjeçarit

Një person u qëllua për vdekje me armë zjarri pasditen e së enjtes në fshatin Hot i Ri të Shkodrës, pas një grindjeje çasti që nisi nga motivi banal “pse më shikon”.

Shtetasi Altin Koçeku, 25 vjeç, u qëllua nga bashkëfshatari Alban Lulashi, vetëm 17 vjeç, i cili u arrestua pak orë pas ngjarjes.

Nga policia mësohet se viktima me autorin nisi një debat banal në lokalin e fshatit, që sipas dëshmive filloi me fjalët ”pse me shikon” e që më pas degjeneroi dhe në kohën që viktima po futej në makinë ndaj tij u qëlluan 7 plumba automatiku.

Fillimisht 25-vjeçari Altin Koçeku u dërgua i gjallë në spitalin e Shkodrës, por një orë më vonë ndërroi jetë për shkak të plagëve të rënda. Grupi hetimor në vendin e ngjarjes sekuestroi 7 gëzhoja automatiku në cilësinë e provës materiale.

Top Channel