Vlorë, kapet 1,5 ton hashash

15/05/2014 00:00

Policia e Vlorës bllokoi 1,5 ton hashash, që po transportohej me një furgon. Droga u kap në operacionin “Restart”, rreth orës 05:30, në hyrje të autostradës Vlorë-Levan.

Bashkë me drogën u kapën edhe dy transportuesit, ndërkohë që u shpallën në kërkim edhe disa persona të tjerë, që dyshohet se kanë lidhje me ngjarjen.

Pas aksionit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Artan Didi, shkoi në Vlorë dhe deklaroi se operacioni për këtë ngjarje kishte nisur shumë kohë më parë. Didi komentoi akuzat ndaj policisë.

“Jemi të ndërgjegjshëm se tashmë krimi nuk do të na bllokojë duke na zënë rrugët me automatikë, ka ikur ajo kohë. Por, krimi po mundohet tashmë që të dobësojë punën e policisë, të trembë policinë, nëpërmjet formave të ndryshme. Një prej të cilave mund të jetë edhe dalja me kollare duke folur kundër policisë. Dalin me kollare, ose u vënë kollare atyre që, më pas kërkon t’ua shtrëngojë atyre, kur atij i duhet”, është shprehur Artan Didi.

Didi theksoi faktin se policia, prej dy muajsh, po punon në gjithë vendin, për të penguar kultivimin e hashashit. Ai përmendi penalizime që nisin nga kultivuesit, por edhe drejtuesit e pushtetit vendor, deri tek inspektorët e rendit, nëse konstatohen raste për të cilat nuk janë marrë masa.

I pyetur për Lazaratin, Didi tha se policia ka hyrë në këtë fshat.

“Kemi një plan të mirëpërgatitur dhe për Lazaratin, por mund të them se Lazaratit i ngeli emri, sepse në vitin 2013 ka pasur edhe Lazarate të tjerë, të cilët nuk janë zënë në gojë, por kanë kryer kultivimin dhe kanë pasur sasira të mëdha lëndësh narkotike”, deklaroi Artan Didi.

I pyetur për hetimet në lidhje me avionin e Divjakës, Didi deklaroi se po hetohet për të zbuluar nëse ka ndodhur në të kaluarën.

Top Channel