Një anëtar i kryesisë së Lidhjes demokratike të Kosovës ka dhënë dorëhqjen për shkak të mospërfshirjes në listën e kandidatëve për deputetë, e cila ende nuk është publikuar.

Zyrtari Azem Hajdari akuzon kryetarin Isa Mustafa se nuk i dha hapësirë që të kandidojë, ndërsa listën e hartuar nga Mustafa e quajti të degraduar dhe jo dinjitoze.

“Unë e kam takuar paradite dhe i kam shprehur gatishmërinë time për të kandiduar. Ai veç e kishte përfunduar listën dhe më tha se tani nuk është koha që të flasim për këtë çështje. Unë i thash që nuk kam çfarë të kërkoj në një parti që më bllokon, nuk më lejon të kontribuoj dhe kam dhënë dorëheqjen time. Lista që kam parë është e degraduar”, ka thënë Hajdari.

Në listën paraprake të kandidatëve për deputetë nga LDK nuk është përfshirë edhe ish-lideri i kësaj partie, Fatmir Sejdiu. I kontaktuar nga Top Channel, ish-presidenti Sejdiu ka thënë se ndodhet jashtë vendit, ndërsa ende nuk ka vendosur nëse do të jetë pjesë e listës për të kandiduar për deputet.

Sejdiu ka thënë se për të marrë pjesë në këtë listë të LDK-së, së pari duhet të sqarojë disa gjëra me Isa Mustafën. E ky i fundit, nuk ka preferuar të enjten të komentojë as dorëheqjen e Azem Hajdarit, por as mospërfshirjen në listë të Fatmir Sejdiut.

E vetmja që ka pranuar të komentojë zhvillimet e fundit rreth listës ishte ish-deputetja Vjosa Osmani. “Lista për kandidatë për deputetë nuk është ende zyrtare. Ajo do të prezantohet dhe do të miratohet të premten në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së”, ka thënë Osmani.

LDK kishte planifikuar që të enjten të mblidhte Këshillin e Përgjithshëm për të zyrtarizuar listën garuese për zgjedhjet e 8 qershorit, por mosmarrëveshjet rreth saj e kanë shtyrë partinë e Isa Mustafës që listën ta bëjë publike  një ditë më vonë.

Top Channel