Serbët, me një listë të përbashkët

14/05/2014 00:00

Shumica e subjekteve politike serbe kanë arritur marrëveshje, që të garojnë me një listë të përbashkët për zgjedhjet e 8 Qershorit në Kosovë.

Të inkurajuar nga qeveria e Serbisë, kandidatët nga Lista Serbe dhe nga Partia e Pavarur Liberale Serbe janë pajtuar që të hyjnë në koalicion parazgjedhor, për të synuar që të marrin shumicën e votave të serbëve.

Lideri i SLS-së, Slobodan Petroviç, ka konfirmuar për Top Channel se subjekti tij ka arritur marrëveshje me Listën Serbe, që përbëhet nga disa subjekte anekënd Kosovës.

“Ne jemi dy partitë më të mëdha serbe dhe jemi marrë vesh, që në këto zgjedhje të shkojmë bashkarisht në një listë. Do t’i ftojmë edhe përfaqësuesit e partive të tjera, të cilat para së gjithash kanë kredibilitet dhe rezultate të punës, dhe është shumë me rëndësi, që nuk do të mbetemi vetëm me njerëz, që janë në politikë, por do të na bashkohen edhe të tjerë nga kultura, media, sporti”, tha Slobodan Petroviç, kryetar i SLS.

Petroviç ka thënë se, ende nuk e kanë percaktuar se kush do të jetë kryesues i listës së përbashkët të serbëve, por, sipas tij, lista e ka mbështetjen të gjerë.

“Nuk është me shumë rëndësi se sa do të kemi përkrahje, të kësaj apo asaj qeverie, por me rëndësi për ne është që kandidatët tanë në listë, të kenë mbështetjen e qytetarëve”, theksoi Slobodan Petroviç, kryetar i SLS.

Pjesëmarrjen në këtë listë e ka konfirmuar, përmes një përgjigjeje të shkurtër për Top Channel, edhe politikanja serbe nga Graçanica, Rada Trajkoviç. Megjithatë, jo të gjithë liderët serbë të Kosovës mund të jenë pjesë e një liste të vetme.

Nenad Rashiç, nga partia Progresiste Demokratike serbe, ka thënë se është shumë larg arritjes së marrëveshjes për të garuar me listën e unifikuar serbe. Ai ka paralajmëruar se do të garojë me listën e tij, në rast të mos afrimit të qëndrimeve në ditët në vijim.

Serbët e Kosovës garojnë në zgjedhjet e 8 Qershorit, për herë të parë për vetëm 10 vende të garantuara, pasi partitë shqiptare nuk i kanë vazhduar edhe vendet e rezervuara për këtë komunitet pakicë. Më 8 Qershor, Kosova do të organizojë për herë të parë zgjedhje parlamentare në gjithë territorin e saj.

Top Channel