Riformato u kontrollua në Rinas

14/05/2014 00:00

Këto janë pamjet e avionit privat “Piper”, i cili rezulton – sipas kamerave të sigurisë së aeroportit – se ka mbërritur në Rinas në datën 8 Maj. Në plane tregohet shoqërimi i avionit drejt vendit të parkimit, menjëherë pas uljes së tij në pistën e Rinasit.

Dy ditë më pas, në datën 10 Maj, piloti Giorgo Riformato do të ngrihej në fluturimin e famshëm, që përfundoi me uljen në rërën e Divjakës. Riformato shfaqet të shtunën, në intervalin kohor 8:50 deri në 8:55, në këto plane të kamerave të sigurisë, duke u kontrolluar nga personeli i Aerorpotit të Rinasit, i shoqëruar nga punonjësit e aeroportit.

Së bashku me të, në “check-in” kalojnë edhe dy çantat e shumë diskutuara të Riformatos. Ndërsa Riformato kontrollohet edhe fizikisht nga personeli i sigurisë, çantat kalojnë skanerin dhe, po ashtu, kontrollohen.

Pas përfundimit të kontrollit, piloti italian shkon drejt aeroplanit, lë çantat, kryen furnizimin me karburant dhe kontrollin teknik të detyrueshëm për të verifikuar gjendjen e avionit përpara nisjes. Më pas, sipas burimeve në Rinas, ai del sërish dhe konsumon një kafe në aeroport, në pritje të orës së fluturimit.

Rreth mesditës, më saktësisht në orën 12:06, ai kalon sërish kontrollin e detyrueshëm, i shoqëruar përsëri nga një punonjës i aeroportit, siç duket në këto plane. Pas kontrollit, Riformato shfaqet në sallën e tranzitit dhe largohet në drejtim të avionit, prej daljes 4.

Në orën 13:15, kamerat e sigurisë së aeroportit e tregojnë avionin, që ecën në pistë për t’u përgatitur për t’u ngritur në fluturim, deri sa merr miratimin e kullës për t’u ngritur në fluturim në orën 13:26.

Këto pamje janë tashmë të sekuestruara nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, në funksion të hetimeve për trafik droge në bashkëpunim, të mbetur në tentativë. Së bashku me to, oficerët e Policisë Gjyqësore po kryejnë verifikime të mëtejshme, mes të cilave komunikimet mes pilotit dhe kullës, si dhe për t’u dhënë përgjigjje momenteve kyçe të kësaj historie.

Reagimi i “Albcontrol” pas akuzave për avionin

“Albcontrol nuk jep leje fluturimi. “Albcontrol” kryen shërbimin e lundrimit ajror, apo si në rastet e avionëve që pilotohen me shikim; kryen shërbimin e informimit të trafikut ajror, në bazë të një lejeje fluturimi të lëshuar nga Autoriteti i Aviacionit Civil”.

Kjo është pjesë e deklaratës së shpërndarë për mediat, nga “Albcontrol”, ku sqarohet opinioni për detyrat që ka ky institucion në trafikun ajror.

Deklarata vjen pas akuzave më të fundit në lidhje me avionin e Divjakës.

“Albcontrol nuk administron shkresa, por të dhëna elektronike, që ruhen në sistem pa kufizim kohor, ndaj – theksohet në deklaratë se, – sistemet tona përmbajnë të dhëna mbi të gjithë avionët, që janë pajisur me leje nga Autoriteti i Aviacionit Civil, dhe i është ofruar shërbimi i lundrimit ajror. Në sistemet tona – sqaron ‘Albcontrol’, – janë të regjistruara të gjitha lëvizjet e datës 10 Maj, por edhe të të gjitha ditëve, muajve apo viteve të mëparshëm. Për rastin e avionit, me leje fluturimi numër 193 të lëshuar nga Autoriteti i Aviacionit Civil, ky avion rezulton se fluturon sipas rregullave VFR, pra jo me instrumenta navigacional, por me shikim të lirë e totalisht në përgjegjësinë e pilotit”, thuhet në deklaratë.

“Kontrollori, në këtë rast, ofron vetëm informacionin navigacional, pasi fluturojnë në lartësi më të ulta se juridiksioni ynë”, njofton ‘Albcontrol’.

Top Channel