Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Tracey Jacobson, u bën thirrje të gjitha institucioneve të Kosovës, që të parandalojnë vjedhjen e votave në zgjedhjet e 8 Qershorit.

Në veçanti, përgjegjësinë e mbarëvajtjes së procesit zgjedhor, Jacobson e adresoi te partitë politike dhe komisionerët nëpër qendrat e votimit. Këto komente, Jacobson i bëri gjatë një vizite në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, në daljen e parë publike pas caktimit të datës së zgjedhjeve.

Ndërsa njoftoi se 8 Qershori është ditëlindja e saj, Jacobson tha se dhurata më e mirë do të ishin zgjedhjet e lira dhe demokratike.

“Do të takoj liderët e partive politike, siç kam bërë në të kaluarën, t’i inkurajoj ata që të luajnë rol të rëndësishëm me të gjitha partitë politike, me të gjithë aktivistët dhe komisioneret, që të sigurojnë mos vjedhjen e votave. E kuptoj që, në zgjedhjet e kaluara nacionale, problemi më i madh ka qenë vjedhja e votave brenda vetë partive, dhe jo vjedhja midis njëra-tjetrës. Është shumë e rëndësishme, që zëri i njerëzve të mbrohet, kështu që është e rëndësishme, që partitë politike dhe komisionerët të luajnë rolin e tyre. Unë, gjithashtu, kam pasur rastin të flas me shefin e Prokurorisë së Shtetit, për rolin e prokurorit dhe zbatimin e ligjit, në mënyrë që të mbrohet procesi nga mashtrimet zgjedhore, si dhe ato mashtrime të ndiqen penalisht”, tha Tracey Jacobson, ambasadorja amerikane në Kosovë.

Ndërsa theksoi se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pavarësisht kohës së shkurtër, po bën të gjitha përgatitjet për një proces të mirë zgjedhor, edhe kryetarja Valdete Daka kërkoi nga partitë politike të ndihmojnë që procesi të jetë demokratik.

“Është me rëndësi të theksojmë se presim nga subjektet politike, që të japin kontributin e tyre në mbarëvajtjen e këtyre zgjedhjeve. Po ashtu, ne presim që të kemi një numër të madh vëzhguesish vendorë e ndërkombëtarë, të cilët do të mund të shohin nga afër rrjedhën e procesit zgjedhor”, u shpreh Valdete Daka, kryetare e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Jo më pak e rëndësishme, për ambasadoren amerikane, është edhe pjesëmarrja e qytetarëve në zgjedhje. Ajo inkurajoi qytetarët, që të dalin masivisht, pasi – siç tha – vetëm nëpërmjet votimeve, zëri i tyre mund të dëgjohet. Ambasada amerikane në Prishtinë ka planifikuar që, në ditën e zgjedhjeve, të angazhohen 40 ekipe vëzhguesish në gjithë Kosovën.

Top Channel