Korçë, dënohen mjekët për ryshfet

14/05/2014 00:00

Gjykata e faktit në Korçë ka dhënë dënimin e saj për dy mjekët e akuzuar për korrupsion pasiv, Nikolla Nunka dhe Ismail Uzuni.

Mjekët, të arrestuar në tetor të vitit të kaluar, kanë marrë dënimin me 2.6 vite burg për secilin dhe u është hequr e drejta e ushtrimit të profesionit për një periudhë 6-mujore.

Në seancë, pas kërkesës së prokurorisë për t’i dënuar me 3 vite burg, trupi gjykues ka dëgjuar edhe konkluzionet e mbrojtjes dhe në fund ka shpallur fajtorë dy të pandehurit që morrën shumën prej 20.000 lekësh pak muaj më parë, për t’i bërë një qytetareje një ndërhyrje kirurgjikale.

Prezent në sallën e gjyqit ka qenë vetëm mjeku Nikolla Nunka, ndërsa mjeku i Pogradecit, Ismail Uzuni është përfaqësuar nga avokatja e tij.

Treshja e gjyqtarëve kishte vendosur që seanca të zhvillohej me dyer të mbyllura, ndërsa e ka bërë atë publike vetëm momentin e vendimit, kur dhe ka shpallur fajësinë për dy mjekët.

Korçë, mjeku akuzohet për korrupsion pasiv

Ndërkohë, po në Korçë, një tjetër mjek po proçedohet penalisht në gjendje të lirë për korrupsion pasiv. Gjinekologu Shkëlqim Isufi është kallëzuar nga shtetasja Liljana Demolli, e cila pretendon se i ka dhënë atij lekë.

56-vjeçarja Demolli deklaroi se i dha 30 mijë lekë mjekut dhe stafit që morën pjesë në lindjen e nipit të saj. Foshnja ndërroi jetë disa orë pas lindjes dhe familja Demolli akuzon mjekët e maternitetit për neglizhencë.

Top Channel