Gjykatësit: Jemi të pambrojtur për jetën

14/05/2014 00:00

Një ditë pas kërcënimit në sallë të gjyqtarit Idriz Mulkurti nga i pandehuri Dritan Dajti, gjyqtari ende nuk ka depozituar një kërkesë për mbrojtje apo ruajtje, ndërsa ai është shfaqur me një truprojë në ambjentin e jashtëm të gjykatës.

Duket se deri më tani nga kërcënimi për jetën e gjyqtarit ka reaguar Unioni i Gjyqtarëve, kreu i të cilit në një intervistë për Top Channel e konsideron rastin e gjyqtarit Mulkurti si një preçedent që tregon se sa të pasigurtë janë gjyqtarët në Shqipëri.

“Nuk duhet ta kalojmë këtë si rast të izoluar, sa i takon kërcënimit të gjyqtarëve. Duhet ta trajtojmë më gjerë. Ka proçedura për mbrojtjen e gjyqtarëve, por duke e trajtuar atë si rast të veçantë, ne duhet të zgjidhim problematikën në tërësi. Gjyqtarët sot kanë nevojë për më shumë siguri e mbështetje. Nuk është vetëm ky kërcënim, gjyqtarët janë vrarë, sulmuar, u është hedhur acid, etj. Natyrisht që nuk mund të mos bëhet një lidhje mes klimës që frymëzon akte të tilla dhe reagimi ynë duhet të jetë ndryshe”, deklaron Ervin Metalla.

Nga ana tjetër, zyra e shtypit e KLD reagoi duke u shprehur se, “Këshilli i Lartë i Drejtësisë e shikon me shqetësim ngjarjen e ndodhur gjatë një seance ku një gjyqtar u kërcënua publikisht në ushtrim të detyrës së tij”.

KLD, thuhet në deklaratë, dënon me forcë çdo kërcënim dhe e konsideron presionin apo kërcënimin publikisht të gjyqtarëve që marrin vendime në emër të Republikës së Shqipërisë si një goditje të drejpërdrejtë ndaj shtetit ligjor.

“KLD shpreh besimin tek të gjitha organet ligjzbatuese duke përfshirë edhe prokurorinë, për marrjen e masave të duhura sipas kompetencave të tyre”, vijon njoftimi për shtyp.

Ndërkohë, i kontaktuar në telefon kryetari i Gjykatës së Krimeve të Rënda, Sandër Simoni pohoi se menjëherë pës kërcënimit është informuar Policia e Shtetit për këtë ngjarje.

Top Channel