Mbyllet procesi i ish-gardistëve të 1997-s

13/05/2014 00:00

Merr fund në Gjykatën e Shkallës së Parë procesi i denjë për rekordet Gines që ka lidhje me ngjarje të vitit 1997 dhe kishte nën akuzë dy ish-ushtarakë të lartë të Gardës, ish-komandantin Xhahit Xhaferri dhe ish-shefin operativ Arjan Canga.

Gjykata Penale e shpalli fajtor ish-komandantin e Gardës për katër akuza të rebelimit, dezertimit të kuadrit komandues, shpërdorimit të armatimit dhe shpërdorim detyre në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme. Për këto akuza Xhahit Xhaferri u dënua me 12 vjet burg. Ndërkohë, ish-vartësi i tij Canga u dënua me 10 vjet burg për akuzën e rebelimit.

Episodi për të cilin akuzohen dy ish-ushtarakët ka lidhje me 1997-n, menjëherë pas masakrës së Cërrikut. Përgjatë datave 22 maj deri më 25 maj, me urdhër të ish-komandantit të Gardës, janë nisur drejt Spitalit Ushtarak dy makina të blinduara, njëri prej të cilëve drejtohej nga ish-shefi operativ Canga.

Mjetet e blinduara u instaluan në spital ku edhe ishin efektivët e plagosur në masakrën e Cërrikut. Procesi ndaj gardistëve është gjyqi më i gjatë në proceset penale, pasi ai ka nisur më 1998. Dy të pandehurit u gjykuan nga Gjykata Ushtarake dhe u dënuan përkatësisht me 12 dhe 10 vjet heqje lirie, ndërkohë që pas odisesë mes shkallëve të gjyqësorit ai u rikthye për gjykim nga Gjykata e Lartë me argumentin se gjyqi ndaj të pandehurve është zhvilluar në mungesë dhe pa avokatë.

Pas rikthimit, gjyqi zgjati në Shkallën e Parë gjashtë vjet pasi nuk gjendeshin adresat e 55 dëshmitarëve, disa prej të cilëve ndodheshin jashtë vendit, por kishte edhe mes tyre që kishin ndërruar jetë.
 

Top Channel