BDI: Integrimi do të jetë prioritet

13/05/2014 00:00

Zhbllokimi i procesit integrues të Maqedonisë do të jetë prioritet kryesor për Bashkimin Demokratik për Integrim në gjashtë muajt e parë të qeverisjes së re. Në rast se, në këtë plan nuk arrihen rezultate partia shqiptare BDI ka paralajmëruar se do ta rishikojë marrëveshjen për bashkëqeverisje me VMRO-DPMNE-në e kryeministrit Nikolla Gruevski.

“Kemi një mundësi historike që në shtator të bëhemi pjesë e NATO-s. Kjo mundësi nuk është qind për qind e sigurtë, por qind për qind do të ndodhë e kundërta nëse BDI nuk do të jetë pjesë e institucioneve. Ne nuk mund të rrezikojmë që ta lëshojmë këtë mundësi historike që ka BDI-ja. Prandaj i kemi dhënë edhe një rast këtij procesi deri në shtator në samitin e NATO-s dhe deri në publikimin e raportit të BE-së për progresin”, deklaroi Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së.

Për të zhbllokuar procesin integrues, partia e Ali Ahmetit shprehet e gatshme për çfarëdo kompromisi me partnerin maqedonas të koalicionit. Madje, mësohet se BDI mund ta njohë edhe legjitimitetin e presidentit Gjorgje Ivanov, nëse arrihet konsensus për zgjidhjen e problemit bilateral me Athinën për emrin e Maqedonisë, si problem që me vite po pengon procesin e integrimit të vendit në strukturat euro-atlantike.

“Për ne është prioritet kryesor Maqedoninë dhe shqiptarët e Maqedonisë ti rendisim atje ku takojnë. Kështu që, ne jemi të gatshëm ti bëjmë të gjitha kompromiset në drejtim të integrimit të NATO”, tha Osmani.

Lidhur me bisedimet për formimin e Qeverisë së re zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani ka njoftuar se negociatorët e dy partive janë duke punuar në harmonizimin e platformave dhe parimeve të bashkëqeverisjes, ndërsa për ndarjen e posteve ministrore ende nuk është biseduar.

Top Channel