Bajram Kosumi rikthehet në politikë

13/05/2014 00:00

Aleancës Kosova e Re të martën iu bashkua ish-kryeministri i Kosovës, Bajram Kosumi. Lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli, në konferencë për media theksoi se rikthimi i Kosumit në politikë është i nevojshëm për shoqërinë kosovare.

“Sot më bën shumë të lumtur fakti që ish-kryeministri i Kosovës dhe miku im Bajram Kosumi iu rikthye jetës politike. Shoqëria kosovare ka nevojë për energjitë e tij, shoqëria kosovare ka nevojë për sinqeritetin dhe punën e tij, ndaj ju them se që nga sot zoti Bajram Kosumi është pjesë përbërëse e AKR-së”, u shpreh Pacolli.

Ndërsa vetë Kosumi tha se po rikthehet me të gjitha potencialet e tij intelektuale, shkencore e politike që të ndihmojë në proceset politike në vend.

“Interesi i procesit politik, kahu i procesit politik i përcakton të gjitha kahet e tjera në shoqërinë tonë, kam menduar që do të ishte më e moralshe të jap ende kontributin tim në politikë, aq sa kam mundësi, dhe mendoj që kam ende kontribut për të dhënë në politikë”, tha Kosumi.

Ish-kryeministri Kosumi po i rikthehet jetës politike pas një pushimi 4-vjeçare, ndërsa vendimin për t’u rikthyer e quan si jo të lehtë.

Bajram Kosumi ishte kryeministër i Kosovës në vitin 2005 nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, pas shkuarjes së Ramush Haradinajt në Hagë.

Top Channel