Arrest me burg të dyshuarve të Divjakës

13/05/2014 00:00

Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi masën e sigurisë ‘arrest me burg’ për dy të akuzuarit Saimir Bajrami dhe italianin Giorgio Riformato, që të dy nën akuzë për trafik droge në bashkëpunim të mbetur në tentativë.

Ky vendim erdhi pas kërkesës së prokurores së çështjes Doloreza Musabelliu, e cila tha gjatë procesit me dyer të mbyllura se krutani Bajrami ka tentuar të trafikojë një ngarkesë droge kanabis sativa e cila është siguruar në Krujë nën bashkëpunimin e pilotit Riformato por edhe personave të tjerë të cilët janë nën hetim.

Saimir Bajrami i tha gjykatës se i qëndron dëshmisë së tij të dhënë në momentin e arrestimit në kushtet e flagrancës, megjithëse avokati i tij mbrojtës pretendoi se klienti i tij vuan nga problemet mendore për shkak se sipas avokatit është e pamundur që një person të flasë me aq detaje sa ka folur Bajrami.

Nga ana e tij, italiani Riformato tha se nuk e njeh Saimir Bajramin, pavarësisht se ndaj tij për këtë pretendim organi i akuzës ka sekuestruar një video në çastet kur ata takohen së bashku në një hotel pranë Prokurorisë së Përgjithshme.

Në qëndrimin e tij piloti këmbënguli sërish se kishte ardhur në Shqipëri për arsye turistike dhe se më datë dhjetë maj ishte ngritur për fluturim për të bërë një panoramim, por një defekt i paparitur e kishte detyruar të ulej në Divjakë.

Edhe avokati i tij Arben Peçi tha para medias në përfundim të procesit se gjithçka është nën hetim dhe mbetet për të verfifikuar edhe disa rrethana të tjera.

Top Channel